VITI I SKËNDERBEUT 2018

0
55

Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Qeveria e Shqipërisë ka shpallur vitin 2018
si vit mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Skënderbeu është figura më e shquar në historinë e Shqipërisë. Sot në botë emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu, Parisi, Roma, Çikago, Shkupi. Emrin e Skënderbeut e mbajnë të paktën 10 objekte
dhe institucione.

Tri rrugë në Tiranë, Durrës e Krujë; një muze në Krujë, një fshat në Librazhd, një pije alkoolike konjak, një skuadër futbolli e Korçës, universiteti ushtarak, një titull i lartë, “Urdhri Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe një shesh në kryeqytet. Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, lindi në Dibër, më 6 maj të vitit 1405.

Një
anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe së bashku me
300 kalorës shqiptarë u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Me një ferman të rremë shtiu në dorë kështjellën e Krujës dhe kështu më 28 nëntor 1443 u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.

Për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria e Skënderbeut luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat
ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara. Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake duke korrur një
sukses të mahnitshëm.

Aftësitë ushtarake të Skënderbeut përbënin një pengesë të madhe për zgjerimin osman, dhe ai u konsiderua nga shumë njerëz në Evropën Perëndimore si një model i rezistencës ndaj osmanëve muslimanë. Gjatë jetës së tij, Gjergj Kastriot Skënderbeu zhvilloi 30 beteja, nga të cilat 29 prej tyre i fitoi dhe vetëm një humbi. Tri herë qyteti i Krujës, që ishte edhe qendra e sundimit të Skënderbeut, u rrethua nga ushtritë osmane por qyteti asnjëherë nuk ra.

Dy sulltanë erdhën vetë në Shqipëri për të ndëshkuar Skënderbeun. Murati II, për të cilin thuhet se pas humbjes vdiq nga hidhërimi gjatë rrugës së kthimit, po ashtu dhe djali i tij, Mehmeti, i cili e la në mes rrethimin e Krujës. Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke patur të qartë se rreziku osman mund t’i bëhej ballë vetëm vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi  pareshtur pjesëmarrjen e vendeve evropiane në luftë kundër këtij armiku të përbashkët.

Gjergj Kastrioti vdiq në janar të vitit 1468. Pas vdekjes së tij, Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.

Vepra dhe figura e Skënderbeut kishin përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti se për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës.

Kadareja thotë: “Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo Perëndimi. Nuk janë
të rastit lëvdatat ndaj tij, ai qe themeluesi i idesë shqiptare me tërë ndërlikimin e saj. Ai ka më shumë famë se Shqipëria vetë. Ai i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës deri në fund, sa vdiq.

Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Testamentin e tij e zgjoi rilindja shqiptare”. Fjalimi më i rëndësishme dhe më i mbajtur mend, është ai i mbërritjes në qytetin e Krujës. Fjalët “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj”.