HomeJehona 21Vezët e kuqe

Vezët e kuqe

Tradita e lyerjes së vezëve në kohën e pashkës është një zakon i vjetër për shumë familje. Madje edhe në kohën e shtetit ateist kur feja ishte e ndaluar, shumë njerëz i lyenin vezët fshehurazi. Por çfarë lidhje ka ndërmjet vezëve dhe Pashkës? Përse i lyejmë të kuqe? A është e rëndësishme kjo gjë?

Praktika e krishterë për lyerjen e vezëve ka një kuptim krejt të vëçantë. Për të krishterë thyerja e vezës në ditën e pashkës simbolizon varrin nga i cili doli Jezusi. Normalisht veza lyhet me ngjyrë të kuqe për të përfaqësuar gjakun e Krishtit që u derdh në kryq.

Disa të krishterë gjithashtu e shohin vezën e pashkës si simbol të jetës së re që Jezus Krishti na jep. Vitet e fundit veza e kuqe është zëvendësuar me një vezë prej çokollate dhe në disa vende ekziston tradita që vezët të mos lyhen me një, por me shumë ngjyra. Jo të gjithë të krishterët e ndjekin traditën e lyerjes së vezëve për pashkët.

Disa e shohin traditën e vezës si diçka që largon vëmendje nga kuptimi shpirtëror i pashkës. Ata theksojnë rëndësinë e besimit në Krishtin që shfaqet nëpërmjet zbatimit të porosive të tij në krahasim me ndjekjen e riteve fetare. Është e vërtetë se njerëzit mund të ndjekin zakone fetare në mënyrë të verbër pa patur një besim të sinqertë në zemër.

Duhet të pranohet gjithashtu se përdorimi i vezëve të pashkës nuk është e urdhëruar nga Perëndia por një traditë e dal më vonë në historinë e kishës. Për këtë arsye ajo nuk është një pjesë e domosdoshme e besimit të krishterë. Është mirë t’i bësh vetes këtë pyetje:

A i besoj Jezus Krishtit? A besoj që ai vdiq për mëkatet e mia dhe se ai u ringjall përsëri? Nëse jo, atëherë vezët e pashkës madje edhe festimi i pashkës nuk do të ketë shumë vlerë për ty.

Most Popular

Recent Comments