Në mos e ke thënë, e ke menduar. Në mos e ke menduar, e ke dëgjuar të thuhet. Është e rëndë kur dikush flet kështu për vendin e tij. Por a është e justifikueshme? Vallë mallkon Zoti popuj apo vende sot? Dhe nëse po, a e ka mallkuar Zoti vendin tonë?

Nuk ke nevojë të lexosh shumë pjesë të Biblës (po s’ke respekt për Biblën s’do merrem me ty) të zbulosh mallkime që ka  lëshuar Zoti kundër vendeve që ishin bërë të paudhë në ato kohëra. Dhe në beson Biblën apo jo, mund të besosh historinë dhe arkeologjinë kur na tregojnë se si pikërisht
ato vende pësuan fatkeqësi (nga më të ndryshmet) dhe se si ato popuj, në disa raste, u zhdukën nga faqja e dheut. Kthehemi te rasti ynë.

A na mallkuar Zoti ne? Po përgjigjem drejtpërdrejt: Po të jetë puna për të na bërë keq Zoti, ai na ka në dorë, dhe këtë ai mund ta bëjë në çdo kohë. Sepse kush i ndalon dorën? I atij është toka, deti, era dhe qielli. Po të dojë të na ndëshkojë për mëkatet tona, ai është plotësisht në gjendje ta bëjë.

Por, dhe këtë e them me shpirt, kam përshtypjen që rilindasit shqiptar e kishin kuptuar shumë drejt mëshirën e Zotit kur përqafuan tekstin e asaj kënge që u bë himni ynë kombëtar:

Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

Dhe më vjen në mendje një thënie e Krishtit, që tha: “Zoti bën të lindë dielli e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.” Që do të thotë, se Zoti është i duruar dhe dashamirës me njerëzit, madje edhe me ata që s’e meritojnë.

Kjo është një e vërtetë e bukur, edhe megjithatë, nuk duhet të mendojmë se kjo dashamirësi është e pafundme. Edhe durimi i Perëndisë ka një kufi. Nëse ecim vazhdimisht në rrugën e keqe dhe refuzojmë të dëgjojmë thirrjen e Zotit të kthehemi, në mos shpejt, një ditë do ta pësojmë.

Se Zoti nuk vihet në lojë. Vonon por nuk harron. Por për gjithë ato të këqija që ka shoqëria sot? Çfarë shpjegimi të japim nëse ato nuk janë pjesë e mallkimit të Zotit?
Sikur ne na duhet të vrasim mendjen të gjejmë fajtorin për këto!

Lakmia jonë
Smira jonë
Urrejtja jonë
Kur ne dalim nga rruga e Perëndisë, s’ka nevojë të na mallkojë Zoti, se e mallkojmë veten tonë.