Tolerancë Fetare

0
56

Ç’është e ç’nuk është!

“Ti s’je tolerant!”
Në këtë mënyrë m’u drejtua me nervozizëm një person me të cilin po flisja. Përse më quante jo tolerant? Zerin nuk e kisha ngritur . . . Dhe nuk i kisha folur në mënyrë përçmuese apo fyese . . . Vetëm sa i kisha thënë qetësisht se besimi që ai predikonte, për mua, ishte i gabuar. Kur vjen fjala te feja, dihet që populli shqiptar përgjithësisht është tolerant.

Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar të flitet më shpesh për këtë tëmë dhe të jepen shpjegime të ndryshme për egzistencën e kësaj tolerance si dhe rëndësinë e forcimit të saj, sidomos pas debateve për vendosjen e simboleve fetare në vende publike. Ndonëse është e rëndësishme të ruajmë midis nesh këtë tolerancë fetare, duhet të pranojmë gjithashtu egzistencën e një lloj konkurence midis feve në Shqipëri (si dhe në gjithë botën e lirë) ku secila fe punon për të tërhequr sa më shumë njerëz në rrugën e vet.

Cili është ai bari shpirtëror që nuk gëzohet kur shikon një dele te re të hyjë në tufën e tij, edhe në rast se ajo dele ka qënë, deri dje, pjesë e një tufe tjetër? Bariu nuk i thotë asnjëherë deles- “Ik!”.

Toleranca e vërtetë
Ne duhet të jemi tolerant ndaj feve të tjera. Por cfarë do të thotë tolerancë? Toleranca fetare nuk do të thotë që të pranojmë se të gjitha fetë dhe bindjet janë njësoj të mira. Aq më pak të besojmë në çdo fe. Toleranca fetare nuk do të thotë që unë s’duhet të kritikoj besimin e tjetrit. Ajo nuk është një pengesë për debatin dhe diskutimin e lirë.

Sigurisht që toleranca kërkon që unë të debatoj gjithnjë me takt dhe respekt për personin tjetër. Dhe pa dyshim që toleranca kërkon që unë të mos përdor dhunë, as presion kundër besimeve të tjera. Por toleranca fetare nuk ndalon konkurrencën e feve. Ai është parimi që rregullon konkurrencën. Toleranca fetare do të
thotë që ti respekton të drejtën e tjetrit që të besojë ndryshe nga ti.

Dhe më shumë se kaq, toleranca fetare do të thotë që ti respekton të drejtën e tjetrit të ndryshojë bindjen e
tij fetare, pavarësisht nëse të pëlqen apo jo zgjedhja që ai bën. Toleranca fetare krijon një hapësirë për lirinë e fesë – dhe është pikërisht kjo liri që sigurohet për ne në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ka disa njerëz që nuk janë dakort me këtë liri. Ka grupime në shoqërinë shqiptare që keqkuptojnë tolerancën fetare. Ata mendojnë se tolerancë fetare do të thotë që ti s’ke të drejtë të kritikosh bindjen e tyre (pavarësisht se ata vetë shpesh kritikojnë të tjerët!). Ka edhe disa njerëz të cilët, ndoshta nga frika e përçarjes, e  konceptojnë gabimisht tolerancën fetare duke e parë atë si një ligj që ndalon konkurrencën midis feve.

Toleranca fetare, në mendjet e tyre, do të thotë që secili mund të ndjekë rrugën e tij fetare të trashëguar (dhe vetëm atë fe) dhe që askush të mos i predikojë askujt për ndryshimin e fesë. Nën flamurin e tolerancës fetare, ata do të privonin individin nga liria e tij për të zgjedhur vet besimin që i pëlqen. Dhe kjo nuk është toleranca e vërtetë. Nuk është kjo ajo lloj tolerance që garanton ligji apo edhe konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka
nënshkruar.