Miku im i dashur, ti ke shpirt. Mbase nuk mendon shpesh për të, por e ke dhe s’mund të mos e kesh. Doemos ke shpirt. Perëndia ta ka dhënë edhe asnjeri s’mund të ta dëmtojë, pa marrë ti pjesë në prishjen e shpirtit tënd. I pasuri edhe i varfëri, plaku edhe i riu, i miri edhe i ligu që të gjithë kanë shpirt. Përveç kësaj më duhet të të them se një ditë ti do ta lësh këtë botë.

Shpirti yt nuk vdesë bashkë me trupin. Do ta varrosin trupin, por jo me shpirtin. Shpirti do të ndahet nga trupi, dhe do të rrojë ende. Po ku do të rrojë? Kjo është pyetja e duhur. Ka vetëm dy vende ku shpirti mund të rrojë.

Shpirti yt do të jetë për jetë në njërin apo tjetrin vend. Edhe si të hyjë atje, s’ka për të dalë më. Ti e kupton se çfarë vendi ështe qielli. Qielli është një vend i lumtur, më i lumtur se sa mund ta mendosh. Në qiell nuk ka as vajtime, as lot, as sëmundje; atje s’ka të qara, as mundime. Në qiell do të jenë të lumtur dhe çdo gjë do të jetë me paqe, dashuri, gëzim, për gjithnjë. Po si është ai vendi tjetër?

Ah! Miku im, sa ndryshon nga qielli! Sa vend i keq dhe i tmerrshëm! Atje s’ka lumturi, as paqtim, as dashuri, as gëzim, as shpresë. Ti e dëgjuar për Krishtin, por a e di ti se cili është Ai, edhe çka bëri Ai për ne? Ai është Biri i Perëndisë, edhe zbriti nga qielli që të na shpëtojë. Ne ishim fajtorë. Ne ishim të humbur.

Ai pa humbjen tonë edhe erdhi të na shpëtojë. Ai s’kish ndonjë detyrim të na shpëtojë. Ai qe i lumtur në qiell bashkë me Atin, por kaq na deshi, sa vetë deshi të vijë. Ai mori formë njeriu. Ai eci mbi dhe duke bërë mirë, edhe më në fund vdiq, por jo në shtrat. Ai i la njerëzit e ligj ta kryqëzojnë.

I shpuan duart e këmbët e tij edhe ai ndenji mbi kryq me mundime të mëdha dhe më në fund vdiq. Edhe të gjitha këto për ne. Ai u mundua për ne. Ai pagoi detyrimin tonë dhe hapi udhën për shpëtimin tonë. Po vallë a do të shpëtojnë gjithë njerëzit? Ata që nuk pendohen edhe nuk besojnë nuk mund të shpëtojnë.

Në qoftë se do të shpëtosh, duhet të pendohesh për fajet e të vësh besimin në Krishtin. A di se ç’do të thotë pendim? Pendim do të thotë të të vijë keq për fajet dhe të mundohesh që të mos dëshirosh më fajin. Po vallë di se ç’do të thotë besë në Krishtin? Ajo do të thotë të besosh me shpirt se i shtrenjti gjak i Jezu Krishtit mund të lajë të gjitha fajet e tua.

Që ta tregojmë këtë më mirë le të japim një ilustrim. Le të themi se një njeri ra në një pellg të thellë uji dhe nuk dinte not, prandaj po mbytej. Në qoftë se s’kish kush t’a ndihmonte, pa dyshim do të mbytej. Por një njeri e pa duke rënë, edhe rendi t’i jepte ndihmë, mori litar dhe ia hodhi. Ai e zuri litarin dhe e shtrëngoi me gjithë fuqinë e tij e kështu doli në të thatë pa rrezik.

Ai e dinte se litari qe e vetmja vegël për shpëtimin e tij dhe se në qoftë se e lëshonte do të humbiste. Prandaj la çdo gjë tjetër dhe shpresoi vetëm te litari. Ky është një shembull për besimin te Krishti. Kështu edhe ti duhet të lësh çdo gjë tjetër edhe të mbështetesh te Krishti. Duhet të kuptosh rrezikun tënd e të pendohesh për fajet dhe ta mbash Krishtin me besë.

Shkruar nga Fineas Kenedi, misionar amerikan që punoi në Shqipëri në fillim të Shek. 20. Botuar për herë të parë në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” 1909.