10 vjet pas vdekjes, Zef Pllumi ende flet

10 vjet pasi u nda nga kjo jetë Zef Pllumi, ai vazhdon të deshmojë nëpërmjet librave të tij për krime cnjerëzore që janë kryer nga regjimi sidomos kundër besimtarëve si dhe për forcën që gjen njeriu që shpreson te Zoti edhe në mes të vuajtjeve të mëdha.

At Zef Pllumi në kujtimet e tij tregon për një rast në burgun e Ballshit: Atëhere ai mori prangat të cilat i kishte lanë mbi tavolinë, m’i suell duert mbrapa shpine, m’i shtini hekurat në kyçe dhe
shtërngoi vidën me sa fuqi kishte.
– Ja, – tha, – le të vijë Zoti e Krishti e të shpëtojnë nga duart tona. A beson gjithnjë?
– Po.
– Nuk di ta bësh mirë atë punë, – ndërhyni prapë operativi tjetër, – ma ler mua ta përfundoj. – Dhe ndërkaq mori një palë pinca elektricisi për të vazhdue shtërngimin e vidës me atë fuqi që kishte ai trupmadh.
Me hekura ndër duer kishem jetue që në rininë 20 vjeçare, por kurrë nuk kisha provue dhimbje si kjo.
– Beson tani? – më pyeti operativi.
– Po, besoj.
– Le të shohim në se vjen ai Zoti e Krishti yt të të shpëtojë. A vazhdon të besosh përsëri?
– Po, besoj, – thashë me nji za gjithnji e ma të ligshtë.
Dhimbjet ishin aq të forta, sa gjaku më hypi në krye. As kambët, pothuej, nuk më mbajshin ma. Megjithate, ma fort për inad të tyne, nuk lshova asnji britmë, asnji oh!, asnji eh! Mendjem e kishem te Zoti dhe thojshem me vedi: “O Zot, ndër duer tua shpirti em”.

Kush ishte At Zef Pllumi?
U lind më 7 prill të vitit 1924 në Malin e Rrencit të Lezhës. Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si Gjergj Fishta. Nga 14 dhjetori i vitit 1946 deri në nëntor të vitit 1949 burgoset nga regjimi.            Nga viti 1949 – 1951 punon si teknik i Muzeut të Shkodrës,
ndërsa nga viti 1956 – 1967 shërben si meshtar i Dukagjinit.

Nga viti 1967 – 1989, për 23 vjet rresht, burgoset përsëri.

Dhe në vitin 1990, fillon meshtarinë tek kisha e Shna Nout në Tiranë deri në vitin 1997.
Ndërroi jetë në vitin 2007.
Zef Pllumi dhe veprat e tij janë vlerësuar gjersisht. Në intervistë Ismail Kadare dëshmon se si Zefi i kishte tejkaluar kufinjtë e të qënit vetëm prift por njëkohësisht ishte edhe dëshmitari më i denje i gjithë atij brezi martirësh që u flijuan për besim dhe për mendimin e lirë, nën regjimin e ashpër
komunist:

“Rrno, për me tregue është një nga dokumentet më të mëdhenj të gjysmës së shekullit mund të them. Të gjitha besimet janë martirizuar në perandorinë komuniste por katolikët shqiptarë e në këtë rast françeskanët, janë vërtet dhe kanë një vend të shënjuar dhe për këta kanë të drejtën morale më fort se kushdo tjetër të dëshmojnë për këtë gjë.

Dhe ne kemi detyrën morale që ta dëgjojmë zërin e tyre dhe të nxjerrim mësime të mëdha prej këtij zëri, pavarësisht se cfarë zanafille fetare ose kulturore kemi. Gjithë shoqëria shqiptare ka  nevojë për këtë vepër.

Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më
tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit, e të nëpërkemburit, e po aq, në mos me tepër, ata që shtypin të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për te ka nevojë ndergjegjja jonë.”

Presidenti Moisiu dha vlerësimin e tij ndërsa Zefi ishte akoma gjallë : “At Zef Pllumi përfaqëson simbolin e qytetarit të lirë. Gjatë viteve të tij të qëndresës At Zefi pa të shuhen një e nga një mësuesit, kolegët dhe besimtarët e tij, pa të dënohet me ligj fjala e Zotit, të digjen librat e shenjtë, të burgoset mendimi i lirë.

Të gjitha këto janë dëshmuar me saktësi të madhe në kryeveprën e tij “Rrno për më tregue”. Në faqet e këtij libri – dëshmi e bëmave të diktaturës dhe rezistencës paqësore ndaj saj, brezat e sotëm dhe të ardhshëm do të gjejnë të pasqyruar anën e errët të sistemit komunist.

Aleksandër Meksi ka treguar një episod nga takimi i tij me Zef Pllumbin: ” Për të kuptuar shpirtin human të At Zef Pllumit po sjell një ndodhi personale me të.

Më pyeti: “A keni pas të bani me Gabriel Meksin?”

Po i thashë unë, jam djali i tij. Ai më shtrëngoi dhe një herë dorën dhe më tregoi një episod nga provimi i tij i matures në lëndën e historisë. Kur nxënësi Zefi filloi të përgjigjet një nga mësuesit i ndërhyn duke i bërë vërejtje për opinionin e shprehur. Im atë, i pranishëm si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, ndërhyn duke e marrë në mbrojtje me fjalët:

Këto përgjigje janë për mua, djali le të vazhdojë.

Nxënësi i atëhershëm, Zef Pllumi, mori në mature notat më të larta dhe sot 60 vjet e kusur mbante mend përkrahjen që pati nga dikush, që nuk njihte më parë dhe që nuk e takoi më kurrë. Mirënjohje kjo, e pa interes, mjaft e rrallë ndër shqiptarët e sotëm.”
Citimi më poshtë tregon për herën e parë që ai ra në dorë të hetuesisë komuniste:

O Zot i madh, – thashe me vedi, – a thue ndoshta kam deke e gjindem n’atê ferrin real, “ku nuk ka tjeter, por vajë e kërcllim dhambësh”? N’atê moment mund ishte ora 1 mbas mesnate; po zbrisnin nga pvetjet apo torturat nji tjeter të mjerë. E kishin sakatue. Gjithë naten gjimonte ndersa roja
i avitej e kercnonte dhe e shante me fjalët mâ të ndytat. Atê natë nuk pat asnji krismë automatiku.

Në mëngjes erdhën e më zgjidhen nga pjeshka. Në krye të shkallve ishte nji salon, i cili shërbente për hymjen ndër kater dyer.
Ndeja aty në kambë. Vazhdoi nji heshtje ndersa ai sillej rrotull nëpër dhomë.
– Fol këtu, na trego përse të kemi arrestuar?
– Pse më keni arrestue, këtë e dini ju; un nuk dij gjâ, duhet të ma thoni ju mue.
– Si nuk ditke gjë? Kujt i thua ti? Mblidhe mendjen e fol!

-Po shka të flas? Ti më pvet shka don e un të përgjigjem.
– Ti të më përgjigjesh mua? Mejtohu mirë se këtu para meje kanë vdekur burra më të fortë se ti. Fol, ja këtu nxirre qumshtin e mëmës ose përndryshe vdiqe.
– Nuk dij shka me folë.

– Nuk din ti ë?
Kapi shufren e hekurit me të cilen shprishte zjarmin e sobës së ndezun dhe me të m’u versul mbi shpatulla, shpinë, kofshë e kambë. E vetmja fjale që thonte: Fol! Këtu nxirre qumshtin e mëmës!
Un nuk kishem shka me folë. Mbasi u lodh ai, edhe un ishem i dermuem, thirri kapterin dhe i tha: Merre. Mbasdite, filloi me u errë, erdhën e më muerën përsëri.

Po ajo zyrë e ngroftë, po ai oficer elegant, me cizme të lustrueme. Po ajo pritje e bukur.
– U mejtove? Sigurisht që je mejtuar. Je djalë me shkollë dhe inteligjent. Nuk do ta marrësh veten në qafë. Fol, ç’ke për të thënë?

-Po më pvet zotni major mbi shka të flas…

-ëë! … derr i derrit nuk flet ti! Ja qumështin e  mëmës hidhe këtu! Qumshtin e mëmes!… Dhe filloi me shputa kresë, mandej me grushta, më shtyni, më përplasi përtokë, mu vërsul me shtjelma me ato çizme luster. Shtjelma në brí, në kambë, në shpinë, në krye e në fëtyrë deri që më shpërthei gjaku. Kur pa gjakun u ndal. Shkoi te radioja e vuni te nji stacion: ndigjoheshin kangë Këshndellash.

Ai iu avit dritares dhe kqyrte kush po kalonte.Hapi xhamat. Poshte ndiehej nji zâ femne.
– Nuk mund të pres shumë, se asht ftohtë.
– Pa eja mbas nji ore se jam shumë i zënë dhe nuk mund ta lë punën. Ashtu i shtrimë siç ishem i kapa mirë fjalët dhe u ngushllova se dikur edhe urrejtja do të kish mbarim.
Kur mbylli dritaren hapi derën dhe thirri nji aspirant që ishte dikund andej.

-Mbushja mendjen këtij të flasë, mund merreni vesh si shkodranë që jini, dhe ai duel jashtë. Ai aspiranti emnin ma dijte dhe më pveti çfarë shkolle kishëm bâ. Kur un i thashë për filozofi etj. ai m’u kthye:

-Ju doni të na shitni neve filozofi. Po na filozofinë e kena ba në mal. A e sheh un nuk dij me shkrue e me këndue, ama filozofinë e di ma mirë se ti me shkollë: un jam nji aspirant që ngrohem te soba e ti aty i lamë me gjak.

Dy telat m’i lidhi ndër veshë mandej aspiranti filloi të sjellë manovelën. O Zot i madh! Korrent elektrik: nji korrent që të therte me mija, miljona, miljarda gjylpana në kokë e gjithkund në të tanë trupin. Dridhje çuditërisht të tmerrshme, ndërsa oficeri i naltë sillej si bishë nëpër dhomë.
Fol!…fol!… qumshtin e mëmës!… Fol… qumshtin e mëmës…

Nuk mund tham me siguri se sa zgjati ky operacion i tmerrshëm, ndoshta nji ore, atëherë mendoj se kjo ora mâ e gjatë e gjithë jetës sime. Nuk mujshem me folë, por n’ato momente kje e para herë
që iu luta Zotit me ma të madhen përkushti:
“O Zot, ma merr jetën, më shpëto!”

Për librat e tij, Zef Pllumi tregoi se kjo punë iu ngarkuar si detyrë nga udhëheqës i tij shpirtëror Át Marin Sirdani: “Ndigjo, more djalë,- më tha,- na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë. Na pleqtë edhe na ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni.

Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshej njerzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. A e kupton shka due me t’thanë?

Fra Zef, Un jam sot për sot Superjor: po të jam urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!

– E un rrnova… e mora si detyrim. Nuk e di a ia kam mrritë!- tha Át Zef Pllumi.

                                                                           “Rrno vetëm për më tregue” është botuar në
                                                                    Tiranë në vitin 2001 nga shtëpia botuese Hylli i Dritës.