HomeJehona 33PËRSE KRYQI?

PËRSE KRYQI?

Për shekuj me rradhë simbolet janë përdo­rur si një mjet identifikimi. Për më shumë se 2000 vjet, Krishterimi ka patur një simbol i cili njihet në mënyrë universale—një kryq i thjeshtë. Për miliona njerëz sot në botë kryqi është kthyer në më pak se një byzylyk, hajmali, tatuazh në trupat e tyre, apo një bizhuteri me pamje tërheqëse.

Pse ky simbol nuk ka reshtur së qëni kaq universal dhe popullor? A kishte ndonjë gjë unike në kryqëzimin e Krishtit? Pse u ekzekutua Ai me vdekje? Çfarë lidhje ka ky simbol me mua sot dhe çfarë ndryshimi mund të më sjellë? A keni menduar ndonjëherë se pse besimtarët shohin një domethënie kaq të madhe në vdekjen e Jezus Krishtit në kryq?

Pse duhej që Jezus Krishti të vdiste? Pse iu desh të ekzekutohej në atë mënyrë aq poshtëruese dhe publike? Dhe çfarë domethënie ka vdekja e Tij më mua? Shtatë fjalë të mëdha e përmbledhin atë që mëson Bibla se ndodhi kur Jezusi vdiq në kryq:

Zëvendësimi

Kuptimi bazë i kësaj fjalë është i drejtpërdrejtë dhe në lidhje me vdekjen e Jezusit është tejet i rëndësishëm. Kjo vjen në mënyrë të fuqishme kur lexojmë që ‘Krishti vdiq një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia’.

Siç e thuhet në një vend tjetër të Biblës: ‘Ai e dha jetën e vet për ne’. Në vdekjen e tij Jezusi mbajti dënimin e mëkatit, të cilin nuk e meritonte, në vend të të tjerëve që e meritonin. Jezusi ishte më shumë se një shembull; ai ishte zëvendësuesi.

Shlyerja

Kjo nuk është fjalë e përdorimit të za­konshëm, por është e rëndësishme që ta kup­tojmë. Shlyerje do të thotë të paqësosh një person të fyer duke i paguar dënimin që ai kërkon për shkeljen e bërë. Kjo e mundëson atë të pranojë përsëri në favor personin që bëri shkeljen.

‘Në këtë është dashuria, jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona’.

Shpagimi

Kjo është një fjalë e njohur. Ne dimë për persona që merren rob nga dikush e pastaj kërkojnë shpërblim për lirimin. Bibla na mëson se mëkati jo vetëm që ndan mëkatarët nga Perëndia, por edhe i burgos ata. Ata bëhen ‘shërbëtorë të mëkatit’.

Për më tepër, mëkatarët nuk janë thjesht robër të një parimi mëkatar, por ata janë ‘në lakun e djallit, të zënë robër të vullnetit të tij’. Shumë njerëz e hedhin poshtë këtë, por çdo zakon mëkatar e përforcon të vërtetën e kësaj. Jezusi tha se ai kishte ardhur për ‘të dhënë jetën e tij për shpagimin e shumë vetave’ .

Shpengimi

Kur shpërblimi paguhet, të burgosurit lirohen, ose shpengohen dhe kjo është ajo që u ndodh atyre për të cilët Jezusi dha jetën e tij. Apostulli Pal thotë se ‘Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne’.

Nga vetë natyra, ne jemi nën ‘mallkimin’ e ligjit të shenjtë të Perëndisë, i cili na deklaron të fajshëm në sytë e tij. Jezusi nuk ishte nën këtë mallkim, e megjithatë, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë hyjnore, ai mbajti mbi vete tërë forcën e mallkimit të ligjit.

Falja

Bibla e sheh mëkatin si një borxh që mëkatari i ka Perëndisë, por ata për të cilët Jesuzi vdiq në vend të tyre marrin jo vetëm ‘shpengim përmes gjakut të tij’, por edhe ‘faljen e mëkateve’. Në vdekjen e Jezusit besimtari është zgjidhur nga barra e dyfishtë e fajit dhe e borxhit dhe është i falur lirisht e plotësisht—përjetë.

Pajtimi

Pajtim do të thotë të bashkosh ata që janë ndarë nga njëri-tjetri për arsye të ndryshme. Nga natyra, por edhe nga zgjedhja që bëjmë vetë, ne të gjithë jemi të ndarë nga Perëndia për arsye të rebelimit për interesat tona, kundër autoritetit të tij.

E megjithatë, Perëndia (pala e pafajshme) mori iniciativën dhe bëri diçka të mahnitshme për ta mundësuar njeriun (pala e fajshme) të jetë në paqe me të, duke u marrë me problemin rrënjësor, mëkatin njerëzor. Prandaj edhe apostulli Pal shkruan se ‘Ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij’.

Pikërisht në momentin që Krishti vdiq, Perëndia dha një shembull pamor të mrekullueshëm për ta ilustruar këtë. Në tempull në Jeruzalem, tek pika kryesore e adhurimit e të gjithë kombit, një vel apo perde, e qëndisur me penj të shtrenjtë, ndante ‘Vendin e Shenjtë’ nga ‘Vendi Shumë i Shenjtë’, një shenjtërore e brendshme që përfaqësonte prezencën e Perëndisë.

Kur Jezusi mori frymën e fundit, ‘Veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund’. Kjo mrekulli ishte një shenjë që vdekja e Jezusit e hoqi pengesën e mëkatit midis Perëndisë e njeriut.

Shfajësimi

Kjo fjalë vjen nga gjyqet ligjore. Ajo përshkru­an se çfarë ndodh kur një gjykatës deklaron që i burgosuri para tij nuk ka detyrim ndaj asnjë dënimi që kërkon ligji dhe duhet të trajtohet njësoj sikur të mos ketë thyer asnjë ligj. Si është e mundur që ne të deklarohemi ‘të Pafajshëm’ para tij dhe të trajtohemi njësoj sikur të mos kishim mëkatuar kurrë?

Jezusi e jep përgjigjen. Jeta e tij e përkryer plotësoi të gjitha kërkesat e ligjit të Perëndisë—ai ishte ‘i shenjtë’, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët’—dhe vdekja e tij pagoi deri në fund dënimin që kërkon ligji i Perëndisë: ‘Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.’

Marrë nga libri “Përse kryqi” i dr. John Blanchard. Botuar nga AEM- Misioni Ungjillor.

Most Popular

Recent Comments