Pelegrinazh

Cili është vendi më i shenjtë në botë?

Organizohen pelegrinazhe në vende që konsiderohen si të shenjta, sidomos në kohën e festave fetare. Edhe brenda Shqipërisë, frekuentohen shumë vende kulti, por ndoshta më të njohurit janë Kisha e Laçit (Kisha e Shna Ndout) dhe Mali i Tomorrit.

Ndër mijëra vende të shenjta që ka patur bota, një dallohet nga të tjerët: Tempulli i Zotit në Jeruzalem. Asnjë tjetër nuk mund të krahasohet me Jeruzalemin për sa i përket historisë së tij të gjatë dhe të veçantë.

Edhe pse i quajmë të shenjta ato ndërtesa që përdoren si vende lutje dhe adhurimi, historia tregon se Tempulli i Salomonit ishte e vetmja godinë që u ndërtuar me porosinë e vet Zotit. Dëshmohet se në ceremoninë e hapjes, i gjithë populli pa lavdinë hyjnore që zbriti dhe e mbushi Tempullin.

Dmth, një shenjë aprovimi që erdhi nga lart dhe që s’është përsëritur në asnjë vend tjetër. Ky tempull, edhe pse u rrafshua nga ushtria Romake në shekullin e parë, shërbeu si një dëshmi për 1000 vjet për ekzistencën e Zotit të vërtetë, kundrejt idhujve të shëmtuar, pjellë e imagjinatës njerëzore.

Mirëpo, nuk duhet menduar se shkatërrimi i Tempullit erdhi pa u realizuar më parë qëllimi hyjnor. Përveç se ishte një dëshmi për ekzistencën e Perëndisë së vërtetë, Tempulli zbulonte disa të vërteta për shenjtërinë e Zotit si dhe për rrugën e pajtimit me Zotin.

Sipas sistemit të adhurimit e përcaktuar në ligjin e Perëndisë, duhej pra, një flijim për mëkatin, dhe një ndërmjetës i denjë që mund të qëndronte midis Perëndisë dhe njerëzve duke ndërhyrë për popullin përpara më të shenjtit.

Ky model të sjell ndërmend Jezus Krishtin, qengjin e Perëndisë, që mbërriti në Jeruzalem pikërisht në kohën e pashkës. Në momentin që ai vdiq, perdja që ndante pjesën e Tempullit që quhej “vendi më i shenjtë” nga gjithë pjesa e tjetër, u shqye në mes, një shenjë që iu dha njerëzve për te treguar që rruga drejt Zotit është hapur tani me anë të gjakut të Krishtit.

Sot, pra, na është zbuluar se njeriu nuk mund të jetë më afër Zotit thjesht sepse shkon fizikisht në një vend tjetër. Kur u pyet Jezus Krishti për këtë çështje nga një grua samaritane (sepse samaritanët mbanin për të shenjtë një mal aty afër dhe nuk shkonin në tempullin e Jeruzalemit) ai u përgjigj “As në Jeruzalem, as në këtë mal, sepse koha ka ardhur që ata që adhurojnë Atin [Perëndinë] ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”

I njëjti Jezus shpalli se: “Këtu është një më i madh se Tempulli” dhe shqiptoi thënien e madhe “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta, askush nuk vjen te Ati përveçse nëpërmjet meje.” Sepse kudo që shpallet mesazhi për Jezus Krishtin, burra dhe gra mund të gjejnë Perëndinë duke vendosur besimin e tyre në atë që vdiq për të paguar mëkatet tona.

Kjo do të thotë se edhe pse të tre fetë monoteiste (judaizmi, krishterimi dhe islami) adhurojnë në Jeruzalem, qytet që është kthyer në mollë sherri për botën moderne, njeriu nuk ka pse të shkojë aty nëse kërkon të gjejë Zotin, dhe aq më pak në vende të tjera të ashtuquajtura të shenjta.

A do të thotë kjo që kishat nuk kanë vlerë? Shumë besimtarë kanë nevojë të gjejnë një vend të qetë ku mund të luten dhe kishat mund të shërbejnë për këtë qëllim. Mëgjithatë, vlera e kishave qendron kryesisht te adhurimi dhe predikimi i fjalës së Zotit.

Kishat e vjetra kanë vlera artistike dhe arkitekturale, por frymëzimi hyjnor vjen prej fjalës së Krishtit që lexohet, këndohet dhe predikohet nga besimtarët të mbledhura së bashku, qoftë në kisha të vjetra, qoftë në godinat më moderne.

E thënë shqip, ai që mendon se do të gjejë Zotin në mure të bëra nga dora e njeriut po gabon rëndë. Madje në kohën kur Tempulli i Zotit qëndronte akoma në këmbë, Zoti i tha popullit të mos mendonin që ai kishte nevojë për një shtëpi “se as qielli nuk më mban”.

Për më tepër, të mos mendojë njeriu se ka gjetur apo do të gjejë bekimin e Zotit se bën/bëri pelegrinazh në “x” vend, ndërsa zemrën e ka të mbushur me ligësi, jetën të mbushur me mëkate dhe gojën e mbushur me gënjeshtra.

Vetëm pendimi të prin në rrugën e Zotit. Është marrëzi të mendosh ndryshe. Ku është Perëndia? Më të vërtetë, ai nuk është asnjëherë larg nesh, por jemi ne që i largohemi atij.