Shpresa është një forcë e madhe. E padukshme, por e pamohueshme.

Ka njerëz që mendojnë që shpresa është diçka iluzive. Por përvoja na tregon që shpresa ka një ndikim të madh.

Shpresa bën dallimin midis dy njerëzve që gjenden në rrethana krejt identike. Ndonëse nga jashtë duken njësoj, njëri ka një burim të brendshëm, ndërsa tjetri është bosh.

Shpresa te Zoti është shpresa e vërtetë. Ajo është një shpresë e gjallë dhe hyjnore.

Kjo nuk është e njëjtë me optimizmin. Sepse njeriu më optimist në botë mund të zhgënjehet, dhe të përballet me situata që e lënë me shpirt të thyer. Por aty ku optimizmi bie në gjunjë, shpresa hedh hapa përpara, qoftë edhe përmes vuajtjes.

Shpresa nuk është vetëm një gjendje emocionale e mirë. E nuk duhet të ngatërrohet as me filozofinë pozitive.

Sa pozitiv ndihej Jezusi, kur i bënë gjyq të padrejtë dhe e fshikulluan? Mëgjithatë, ai nuk ishte pa shpresë.

Njeriu që jeton me shpresë, nuk jeton pa halle. Dikush mund të ketë një thes me probleme mbi kurriz, por një zë i thotë të mos dorëzohet. Edhe Krishti mbajti kryqin prej druri, por sytë i drejtonte lart.

Të shpresosh është të dish që po beson në diçka më të madhe se vetja. Shpresa e Zotit ka një bazë të fortë. Themelohet mbi të vërtetën e Perëndisë, e jo mbi premtimet boshe të njerëzve.

Shpresa nuk bazohet mbi probabilitet. Sa ishte probabiliteti që Jezus Krishti do të ngjallej? Kjo ishte diçka e pamundur, por prapë se prapë ai u ngjall!

Mund të shuhet jeta, por jo shpresa. Sepse shpresa është më e fortë sesa vdekja. E rrokullisën një gur të madh mbi grykën e varrit të Krishtit, dhe vendosën ushtarë të ruanin trupin e tij të pajetë. Por mundimi i tyre ishte i kotë. Sepse ai që vdiq duke shpresuar në Perëndinë, do të triumfonte pastaj mbi çdo gjë të keqe: mbi djallin, mbi vdekjen dhe mbi botën.

Çfarë do të thotë shpresa e Pashkës për ne sot?

Zoti nuk ndryshon. Siç shpresuam në Jezus Krishtin pas ringjalljes së tij në atë kohë, duhet të shpresojmë edhe sot.

Shpresa te Zoti është dritë për mendjen e errësuar.

Shpresa te Zoti është ilaç për zemrën e rënduar.

Shpresa e Zotit të jep kurajo kur je i vetmuar.

Shpresa e Zotit të ngre kur je i rrëzuar.

Shpresa është largpamëse. Vështirësitë të rrethojnë, por shpresa shikon përtej atyre. Ajo shikon të ardhmen përmes dashurisë së Jezusit që u shfaq në kryq për ne. Sepse ai që dha jetën për ne, si mund të na harrojë?

Ku qëndron shpresa e Zotit? Që nuk do të na bëhet asnjë padrejtësi? Jo. Por, nëse na bëjnë padrejtësi, do të vijë dita që Zoti do të na japë të drejtën.

Cila është shpresa jonë? Që nuk do të vuajmë ndonjëherë? Jo. Por nëse vuajmë për Zotin, ai do të na ngushëllojë.

Përse shpresojmë në Zotin? Që të shërohemi patjetër? Jo patjetër. Por nëse nuk shërohemi e dimë se ku do të shkojmë. Kjo është shpresa e vërtetë.

A s’kemi shpresë që do të ndërhyjë Zoti për ne? Zoti ndërhyn çdo ditë. Sa herë që të ndodh diçka e mirë është dora e Zotit që po të bekon.

Edhe nëse shpresa është e vetmja gjë që të ka ngelur, nuk je i pashpresë. Shpresoni në Zotin! Shpresoni në Jezus Krishtin! Kush shpreson në Krishtin, nuk është i humbur. Por cili është ai që mund të jetojë pa shpresë?