Festa më e vjetër në Shqipëri

E dimë që besimi i krishterë ka hyrë shpejt në Shqipëri. I pari që predikoi ungjillin në këto troje mund të ketë qenë vetë Shën Pali i cili shprehet, “Nga Jeruzalemi e rrethinat deri në Iliri plotësova predikimin e Ungjillit të Krishtit”. Edhe apostulli Ndre (Andrea) besohet se ka predikuar në Epir.

Një numër i papërcaktuar të krishterësh ka jetuar në portin e Durrësit në vitin 58 p.K., dhe aty nga shekulli i katërt deri në të pestin krishterimi kishte lënë gjurmë të dallueshme anembanë vendit.

Por festa e Pashkës është ende më e vjetër se kaq. Pashka u festua për herë të parë para 3500 vjetësh nga populli hebre (populli i Zotit). Për qindra vjet ata kishin vuajtur si skllevër, por më në fund dora e të Madhit i shpëtoi. Engjëlli i Zotit kaloi mbi gjithë vendin duke goditur shtëpitë e shtypësve të tyre, por hebrenjtë nuk u prekën nga gjykimi sepse kishin lyer trarët e shtëpive me gjakun e qengjit, ashtu siç i kishte udhëruar Zoti.

Fjalë për fjalë, pashka do të thotë kalim, sepse ëngjëlli i Zotit kaloi sipër pa i prekur. Si u modifikua festa e pashkës në kohën e Krishtit? Kur Gjon Pagëzori e pa Jezusin tha: “Ja, Qengji i Perendisë, që heq mëkatin e botës!” Jo vetëm kaq, por ne lexojmë se si Jezusi, në natën e tij të fundit, mori kupën e verës duke thënë: «Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve».

Të gjitha flijimet e mëparshme ishin simbol i veprës së Krishtit në kryq. Dhe me këto thënie biblike e kuptojmë se si Zoti dërgoi Jezu Krishtin që të bëhej kurbani i vërtetë dhe i fundit për njerëzit. Besimi ndaj Jezu Krishtit është mënyra që njeriu mund të gjejë pajtim me Zotin. Ashtu siç kishte nevojë populli hebre të gjente shpëtim nga robëria e faraonit, çdo njeri sot ka nevojë të gjejë shpëtim nga robëria e mëkatit.

Pashka që festohet sot na kujton vdekjen e Jezu Krishtit për të shpëtuar njeriun nga mëkati dhe ringjalljen e tij triumfuese, e cila na jep shpresë për të ardhmen. A është kjo festë vetëm për të krishterët? Sigurisht që jo. Krishti vdiq për të gjithë ata që do të besojnë te Ai.

Njerëzit e parë që besuan tek Krishti ishin hebrenj, por ata predikuan pendimin e mëkateve në emrin e Jezusit shumë kombeve, ashtu siç i kishtë udhëruar Krishti. Ai ende na thërret të besojmë në të për të marrë faljen prej mëkateve tona dhe të pajtohemi me Perëndinë për hir të Tij.

N.B.