NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS

0
6023

Edhe pse tërmete bien, nuk është fundi i botës.

Edhe pse shpërthejnë viruse, nuk është fundi i botës.

As përmbytjet, as zjarret dhe as fatkeqësitë e tjera natyrore nuk janë treguesit që ka ardhur fundi. Ka patur edhe do të ketë kriza ekonomike. Ka patur edhe do të ketë trazime. Por sado të prekshme të jenë këto shqetësime dhe sado real të jetë ankthi që na mbërthen, nuk duhet menduar që ka ardhur fundi.

Edhe pse ka profetë të rremë që thonë “Mbaroi!”, prapë së prapë nuk është fundi i botës.

Sepse Krishti i madh, i cili ua tha ndjekësve të tij që do të vinin kohë shumë të vështira, i porositi gjithashtu që të mos binin pre e panikut, duke thënë: “Ruhuni se mos ju mashtron ndokush. Të gjitha këto duhet të ndodhin por nuk do të jetë ende fundi…”

Kush e di sa herë njerëzimi është trembur gjatë 20 shekujve që kur Krishti tha këto fjalë? Në sa situata të vështira dhe të tmerrshme ka kaluar bota? Sa kriza të mëdha! Kush arrin t’i numërojë? Megjithatë, ja ku jemi akoma.

E dimë që bota ka patur një fillim edhe e dimë që një ditë ajo do të ketë një fund. Por, fundi i botës nuk është as batutë për humoristët e as parrullë që duhet keqpërdorur nga profetët e rremë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve që kërkojnë përgjigje. Përderisa Krishti tha që ajo ditë do të vijë krejt papritur, gjithë hamendësimet njerëzore janë të kota. Ai theksoi këtë: “Fundi do të vijë si vjedhësi në mes të natës”, pra, në një orë që nuk i shkon në mendje askujt. Ky moment në historinë e njerëzimit nuk po më tingëllon si i tillë.

Nuk Është Fundi i Botës por…

Fundi nuk ka ardhur, por na janë dhënë disa shenja se sa e pasigurt është jeta jonë në këtë botë. Pak muaj më parë, tërmetet i trembën të gjithë njerëzit në vendin tonë, pa përjashtim. Kush nuk reflektoi pak për jetën në ato ditë që po lëvizte toka? Ishte një kujtesë e fortë që nuk jemi të zotët e tokës. por vetëm kalimtarë mbi dhe. Edhe pse teorikisht e dimë që jeta është e përkohshme, e vërteta është që bëjmë një jetë të shkujdesur duke mos u përgatitur për atë orë që do shkojmë të japim llogari.

E ngjashme është edhe kjo situata e koronavirusit. Është një tërmet shëndetësor që rrezikon të rrëzojë botën siç e njohim sot. Përveç jetëve që janë të rrezikuara, po shkundet ekonomia botërore që nga themeli. Vetëm dy muaj më parë, tregjet financiare ishin të mbushur me optimizëm për një rritje të mëtejshme të fitimeve. Sa shpejt ndryshuan ato plane? A nuk ndodh kështu kur njeriu beson se e ka marrë fatin në dorë? Me të drejtë vihet në pikëpyetje besimi i fryrë që njeriu i drejton vetes. Erdhi pra, një moment përulje.

Përveç faktit që virusi ka prekur pothuajse të gjitha shtetet në botë, ka prekur gjithashtu të gjitha shtresat shoqërore. Ka kapur deputetë edhe ministra qeverish. Nuk pyet as për famën e as për pasurinë. Dhe jo vetëm aq, por në mes të kësaj epidemie me përmasa botërore, sado i pasur të jesh, nuk blen dot kurën, ngaqë ajo nuk ekziston akoma. Kështu që i ka hyrë frika shtresës së lartë të shoqërisë, në një mënyrë që nuk i kishte shkuar në mendje. Për disa prej tyre, është koha t’i bëjnë llogaritë mirë.

Tronditet edhe një pjesë e botës fetare. Përse? Sepse kanë predikuar një lloj mesazhi që nuk e përgatit njeriun për këto ditë të vështira. Kanë shitur një ide të rreme që Zoti do t’i sjellë njeriut vetëm të mira, mjafton të na hedhësh ndonjë gjë për mirëmbajtjen e tempullit… Madje, dhe tani në këtë situatë, ka patur profet të rremë që kanë profetizuar gjetjen e një ilaçi shërues brenda një afati aq të shpejtë sa edhe doktori më optimist nuk e beson. Këta i ngjajnë fallxhores që i bën lajka njerëzve për t’u marrë ndonjë lek.

Është papërgjegjshmëri të mos i paralajmërosh njerëzit që jeta ka të papritura dhe që njeriu duhet të besojë te Zoti në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Sepse Zoti i vërtetë i jep kurajo dhe forcë atij që e kërkon.

Edhe pse fundi nuk ka ardhur, me siguri që na ka rënë një provë që do të zbulojë se çfarë lloj njerëzish jemi. Ashtu siç ndodhi me tërmetin, kur njëri mori pesë batanije dhe tjetri s’mori asnjë, kështu do të ndodhë me epideminë e koronavirusit. Mënyra se si sillemi këto ditë do të tregojë se jemi shpirtmirë apo shpirtkëqinj. Do të dalë në dritë dashuria për të tjerët apo dashuria vetëm për veten tënde. Do të shfaqet shpresa në Zotin apo dëshpërimi i një shpirti pa perëndi.

Krishti paralajmëroi për kohën tonë me këto fjalë: “Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria”. Por sigurisht që jo të gjithë njerëzit do të jenë të tillë, sepse Krishti tha edhe këtë: “Por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet”.

Gjatë këtyre ditëve të vështira, mund t’ju krijohet përshtypje sikur nuk keni gjë në dorë dhe që situata është plotësisht jashtë kontrollit tuaj. Por nuk është tamam ashtu. Se duhet të ruhemi nga fatalizmi. Prandaj, nuk mund të thuash që s’ke asgjë në dorë. Sepse ti vazhdon të jesh përgjegjës për veprimet e tua, sado që ato kryhen brenda një hapësire më të kufizuar. Dhe kush mund të thotë që nuk është përgjegjës për fjalët që i dalin nga goja? Veçse pretendon që je kthyer në robot.

Mesazhi që Krishti i la botës, dhe që duhet ta dëgjojmë me vëmendje është: “Ai që do të ngulmojë … do të shpëtohet”.

Pra, Zoti kërkon që ju të bëni diçka: Duhet të ngulmoni! Duhet të jeni këmbëngulës e të mos dorëzoheni. Si? Në çfarë kuptimi? Përballë këtyre vështirësive?

Jo vetëm ndaj situatës së keqe, se Zoti nuk na ka thirrur thjesht në një luftë për mbijetesë ku fiton më i forti. Thirrja e Krishtit është për të ngulmuar në rrugën e Perëndisë. Praktikisht, kjo do të thotë të ruani dhembshurinë e të mos hiqni dorë nga të tjerët. Përveç kësaj, jeni të porositur të ngulmoni në besim e të mos hiqni dorë as nga shpresa te Zoti.

Problemet janë reale. Nuk mund të mohohen. Kriza që po përjeton bota sot mund të shkaktojë konfuzion shpirtëror gjithashtu. Mos vallë po shkakton një krizë në botën tuaj të brendshme? Vetëm me lutje kjo mund të përballohet.

Gjithsesi, duhet thënë që nuk është koha të devijojmë nga rruga e Perëndisë. Përkundrazi, duhet të vazhdojmë deri në fund!

Brezat që kanë kaluar kanë parë ditë më të vështira nga këto. Nuk pretendoj se gjithë njerëzit atëherë kanë qenë njësoj në qëndrime, por e dimë që shumë prej tyre kanë ruajtur besimin te Zoti deri në fund të jetës, pavarësisht sfidave. A do të ecni ju në gjurmët e tyre?

Apostulli Pal ishte një njeri i Perëndisë që e dinte se ç’do të thotë vuajtje. Por ai merrte zemër nga Shpëtimtari i tij, Jezus Krishti, duke ditur që, qoftë në këtë jetë, qoftë në atë jetë, ai do të ishte me Zotin. E jo vetëm aq, por shpesh herë u jepte kurajo edhe të tjerëve.

Një herë që Pali kishte rënë në burg, ra një tërmet dhe u hapën dyert. Gardianin e burgut, duke menduar se të burgosurit ishin arratisur, e zuri një ankth i madh. Por, ja, apostulli i foli në atë moment, “Mos i bëj asnjë të keqe vetes”. Kur gardiani e pa që kishte të bënte me një njeri të Perëndisë, e pyeti: “Zotëri, çfarë duhet të bëj që të shpëtoj”? Përgjigjia që mori ishte: “Beso në Jezu Krishtin dhe do të shpëtohesh ti dhe familja jote”. Njeriu ka nevojë për shpëtim dhe shihet qartë në këto ditë që duhet të kërkosh Zotin. Po bie alarmi! Thirri mendjes! Për shkak të virusit po vihet në diskutim fati i miliona njerëzve. Por edhe fati i shpirtit tënd gjithashtu.