Nuk e përballoj dot Vitin e Ri!

0
12

Për shumë njerëz festat e fundvitit nuk sjellin gëzim por janë një faktor që sjell më shumë stres dhe mërzitje në jetën e tyre. Madje, sipas mjekëve, rastet e depresionit mund të jenë më të shpeshta në këtë periudhë sesa në çdo kohë tjetër të vitit.

Sigurisht që arsyet për këtë janë të ndryshme: Konfliktet familjare shpesh herë shfaqen ose rishfaqen gjatë festave. Kjo është disi paradoksale sepse festat synojnë pikërisht të kundërtën, afrimin e njerëzve me njëritjetrin. Humbja e një personi të afërt gjatë vitit normalisht shkakton boshllëk dhe trishtim në kohën e festave të fundvitit. Gjë që është deri diku e pashmangshme.

Pritje të parealizueshme përsa i përket realizimit të festave dihet që prodhojnë pezmatim, sidomos te persona të ndjeshshëm. Vafëria ose shtrëngesa ekonomike janë faktorë të njohur për tensionimin e jetës familjare gjatë festës, sepse duhen kryer shpenzime shtesë në një kohë kur buxheti familjar është tashmë i rënduar.

Mbingarkesa në kohën e festave shkakton lodhje dhe rrjedhimisht më shumë nervozizëm ndaj njeri tjetrin, edhe pse aktivitetet në të cilën mund të jeni të përfshirë janë të kënaqshme në vetvete.

Vetmia

Një nga problemet që shkakton më shumë mërzitje është vetmia. Njerëzit që nuk kanë të afërm përreth, kur shikojnë të tjerët të rrethuar nga dashuria familjare gjatë festave, ndihen më keq sesa zakonisht. Por vetmia prek edhe ata persona që po përjetojnë marrëdhënie jo të mira familjare: gruaja që s’gjen ngrohtësi në martesë; fëmija që s’ndjen dashurinë prindërore; vajza që keqtrajtohet; i riu që s’ka shoqëri të mirë.

Ulja e Stresit

Si mund të ulësh nivelin e stresit ose të luftosh vetminë në jetën tënde gjatë festës? Ka disa hapa që ti mund të marrësh për të ndihmuar veten:

• Ki kujdes të mos kryesh më shumë shpenzime sesa duhet për krishtlindjet apo Vitin e Ri.

• Mos krijo pritje që festat duhet të dalin të përsosura. Nuk ka gjë të përsosur në këtë jetë.

• Ndihmo një person që është më fatkeq se ti. Shumëkush ka zbuluar sekretin që duke ndihmuar një person në nevojë ai përmirëson gjendjen e vet emocionale gjithashtu.

• Sill ndërmend gjithçka që është e mirë në jetën tënde dhe mos mendo vetëm për problemet e tua dhe gjërat negative.

• Mos rri në shtëpi gjithë ditën. Dil, bëj një shëtitje dhe tako njerëz të tjerë. Edhe një përshëndetje ndërsa shkëmbehesh me dikë në rrugë është ilaç i mirë për shpirtin.

• Merr pjesë në programin e një kishe të mirë. Stresi dhe vetmia shkaktohen nga një gjendja shpirtërore jo e mirë.

Kishat janë vende për lutje ndaj Zotit, por edhe vende për të gjetur miqësi, inkurajim dhe mbështetje. Nëse nuk ke marrë pjesë ndonjëherë në kishë, mos ki turp ta provosh.

Çfarë të bëj tjetër?

Nëse mendon që ke depresion dhe nuk po vuan thjesht nga vetmia, është e këshillueshme të kërkosh ndihmën e doktorit. Njeriu nuk ka lindur rastësisht në këtë botë.

Ka një Perëndi në qiell që ka krijuar botën e njeriun dhe ai nuk është larg nesh nëse e kërkojmë. Provo t’i lutesh Zotit për ndihmë. Ndofta ndihma do të vijë në një formë ndryshe nga sa ke menduar, por çdo ndihmë që vjen nga lart është e mirë.