Sa herë vijnë Krishtlindjet, me vete sjellin një atmosferë të vecantë feste për këdo. Të gjithë dëshirojmë që këtë atmosferë ta jetojmë me njerëzit tanë të dashur, të afërmit, miqtë… Dashuria , mirësia janë simbolika që mbartin dhuratat dhe urimet për Krishtlindje. Edhe pse në fakt, pak njerëz sot mendojnë për atë çfarë qëndron në zemrën e festës së Krishtlindjes, që është lindja e Krishtit si qenie njerëzore. Megjithatë, duhet thënë se gjithkush e përjeton në mënyrën e vet magjinë e Krishtlindjeve. Personalisht, në këtë prag Krishtlindjesh, çfarë më bën të mendoj, është e vërteta që i ndodhi Marias. Pyes veten, çfarë ishte ajo duke bërë kur iu shfaq engjëlli i Zotit. Me siguri jetonte përditshmërinë e saj, pa menduar se do t`i shfaqej një engjëll për t`i thënë se ishte e bekuar nga Zoti. Maria e donte Perëndinë me gjithë zemër, në mënyrën e saj të thjeshtë. Mendoj se ajo ishte si shumë prej nesh, një njeri i zakonshëm…dhe engjëlli i Zotit i foli.

Mrekullitë të gjithë i dëshirojmë, por në rastin e Marias, Zoti bëri një nga ato mrekulli, të cilat shpesh janë të paimagjinueshme për mendjen njerëzore, të pabesueshme. E megjithatë, duke iu referuar sërish Marias, zbulojmë lajmin e mirë se Zoti e ka çdo situatë në kontroll. Për Marian, lajmi se do të lindte një fëmijë nga Fryma e Shenjtë, me siguri ishte tronditës, madje jo vetëm për të, por edhe për të fejuarin e saj, Jozefin. Shumë njerëz, me siguri nuk e besuan. E megjithate, ajo besoi, ata të dy besuan. Secili prej nesh do të donte që Zoti t`i fliste. Por unë sërish pyes veten: “A i japim mjaftueshëm kohë Zotit që ta dëgjojmë zërin e tij?”

Por Zoti nuk insiston, nuk na e imponon vullnetin e tij. Ndërsa na ka dhënë liri të plotë për të zgjedhur, gjërat që bëjmë në përditshmërinë tonë, na marrin shumë kohë dhe në fund, e mbyllim ditën duke u ankuar se nuk kemi kohë. Po në fakt, për këdo është çështje prioritetesh. Nëse duam ta shpëtojmë kohën, pa na humbur, i pari mendim i ditës duhet t`i përkasë Zotit, por edhe i dyti, i treti…deri në mendimin e fundit të ditës. Vetëm kështu do ta dëgjojmë zërin e Zotit. Ndërsa mendoj Krishtlindjet, ende e pyes veten: “A do të besoja thellësisht në zërin e Zotit, pasi ta dëgjoja?” A do të mundesha t`i përgjigjesha zërit të tij pa ngurim si Isaia: “Ja ku jam, dërgomë mua…”

Personaliteti ynë njerëzor, sot zgjedh hezitimin, shpesh vendos të mos reagojë, kur në fakt vetë fjala e Krishtit rrezaton siguri teksa i drejtohet kujtdo që e lexon: “Nëse ti beson, çdo gjë është e mundur…” Atëherë përse refuzojmë të qëndrojmë në dritë?! Teksa janë duke ardhur, Krishtlindjet më shtyjnë të mendoj se secili prej nesh duhet të gjejë kohë për të folur me Zotin, për të dëgjuar zërin e tij, teksa ai miqësisht na thërret: “Ejani tek unë…”

Dhe më pas, ashtu si Maria, le të besojmë pa dyshuar. Zoti i tregoi Marias se ishte besnik me të. I tillë është edhe me ne, mjafton ta lejojmë të veprojë brenda nesh, të na transformojë së brendshmi duke mbjellë paqen dhe sigurinë dhe kështu të bëjmë pa hezitim vullnetin e tij.