HomeMesazhi 3Mos e përdor kot emrin e Zotit!

Mos e përdor kot emrin e Zotit!

Ndryshe nga koha e komunizmit kur ai emër përdorej shumë rrallë (për arsye të luftës kundër fesë) sot e dëgjon shpesh emrin e Zotit. Ai përdoret gati në çdo lloj bisede, herë me vend e herë pa vend. Prandaj më duket mirë t’ju kujtoj porosinë e ligjit hyjnor që thotë: “Mos e përdor kot emrin e Zotit”

Gjuha është një gjymtyrë e vështirë për të kontrolluar. Mëgjithëse mëkati ndikon te çdo pjesë e njeriut, gjuha cilësohet si ajo pjesë që është “e mbushur me helm”. Ky udhërim i Perëndisë kërkon të frenojë një nga përdorimet e gabuara të gjuhës. Ka arsye të mira për këtë.

Njerëzit e pushtetshëm mërziten kur keqpërdoret emri i tyre. Madje e hedhin në gyjq atë që abuzon me emrin e tyre. Atëherë, si mendon lidhur me emrin e Zotit? A nuk do të ndëshkojë Zoti ata që keqtrajtojnë emrin e tij të shenjtë?

E keqpërdor emrin e Zotit kur flet lehtë për të.

Nëse flasim me respekt për njërezit në tokë që kanë kryer një vepër të mirë (bamirës, shkencëtar apo artistë qofshin) aq më tepër duhet folur me respekt për krijuesin e të gjitha gjërave dhe me vlerësim për veprat e tij. Ndërsa kur flasim lehtë për Zotin, asaj i thonë përçmim.

E keqpërdor emrin e Zotit kur me gojë e respekton por me sjelljen tënde e mohon.

Kur ato që thotë dhe ato që bën njeriu janë kontradiktore, është njësoj sikur ai mban një maskë. Në gjuhën popullore ajo që njihet me frazën “Bëj siç them unë dhe mos bëj siç bëj unë” është thjeshtë hipokrizi që zhvlerëson emrin e Zotit.

E keqpërdor emrin e Zotit kur e fut emrin e tij në biseda jo të shenjta.

A nuk duhet folur për Zotin me pak frikë? Por kur ti thua “O Zot!” apo “O Perëndi!” në mes të një bisede që s’ka aspak lidhje me Zotin bëhesh fajtor për keqpërdorimin e emrit të tij. Dhe sa njerëz sot janë fajtor të mëdhenj në këtë pikë! Edhe përse e kanë emrin e Zotit në gojë e kanë djallin në zemër.

E keqpërdor emrin e Zotit kur e adhuron me fjalë por jo me zemrën tënde.

Zemra është ajo që komandon mendjen, jetën dhe ndjenjat. Zemra është altari i lutjes. Kur formalisht merr pjesë në një adhurim ndërsa zemra nuk është përfshirë, ai adhurim nuk ka vlerë.

E keqpërdor emrin e Zotit kur e përdor si një emër magjik.

Kur e përdor emrin e Zotit sikur ai emër të ishte një forcë magjike, që do ta bëjë dëshirën tënde realitet, po gabon. Emri i Zotit nuk është një shkop magjik. Nëse e trajton në këtë mënyrë nuk e ke kuptuar kush është Zoti. Ai nuk është magjistar dhe as nuk mund të manipulohet nga përdorimi i pavend të emrit të tij. Të ka rënë në sy apo jo që lypësit e përdorin emrin e Zotit në këtë mënyrë? Por a thua që ti je plotësisht i pafajshëm në këtë pikë?

E keqpërdor emrin e Zotit kur lutesh ndërkohë që nuk beson në të.

Kur thua, “Do bëj një lutje por nuk ka për të më ndihmuar Zoti” a nuk po e përdor kot emrin e tij? Bibla sqaron: “Ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar.”

E keqpërdor emrin e Zotit kur e keqpërdor fjalën e tij.

Ashtu sikurse nuk ka shije që djalli të citojë fjalën e Zotit, nuk ka aspak lezet kur një njeri i citon për qëllime jo të mira fjalët e Biblës. Se i përdor për të bërë humor apo për debat koti, për të tallur apo për t’i tallur, si mund të thuash që je duke respektuar emrin e Zotit? Nderi i emrit të dikujt lidhet ngushtë me nderin që tregon ndaj fjalës së tij.

E keqpërdor emrin e Zotit kur bën be për emrin e tij.

Ka nga ata që flasin shumë rrallë për Zotin, por kur e do puna e mbushin gojën njëqind herë me betimin “Për Zotin!”. Të betohesh për emrin e Zotit kur kjo është e panevojshme është një mëkat i pajustifikueshëm. Për shkak të këtij abuzimi Jezus Krishti tha: “Mos bëni be as për qiellin e as për tokën por le të jetë po-ja juaj po dhe jo-ja juaj jo.”

Një njeri i ndershëm besohet pa u betuar fare. Ndërsa një njeri që bën be për Zotin duhet të matet mirë. Mos vallë po e lidh emrin e Zotit sado pak me gënjeshtrën tënde? Nëse po, atëherë po e zhyt në baltë atë që është e shenjtë dhe e pastër. A mund të mbetet kjo e pandëshkuar?

Mos thuaj që nuk ka gjë. Mos mendo se kjo është e parëndësishme. A nuk e di që njeriu do të gjykohet nga Zoti jo vetëm për ato që ai bën por edhe për çdo fjalë të tij të kotë? Ligji i Zotit të paralajmëron: “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij”.

Vini re se thuhet nuk do të lërë të pandëshkuar. Është e frikshme të biesh nën ndëshkimin e Zotit. Ai mund të të dënojë në këtë jetë. Ai mund të të dënojë në jetën tjetër. Por përse duhet të provokosh Zotin? Freno gjuhën tënde dhe pendohu që ke guxuar kaq herë të keqpërdorësh emrin e tij.

Adaptuar nga Tomas Watson, Shtjellim i Udhërimit të Tretë, Eksodi kap 20:7.

Most Popular

Recent Comments