KUR PERËNDIA FOLI SHQIP

LIDHJA 200 VJEÇARE E KISHAVE ANGLO-AMERIKANE ME SHQIPËRINË

Në vitin 1819, në kohën kur nuk kishte shkolla dhe as libra në gjuhën shqipe dhe që mesha e kishave bëhej vetëm në gjuhë të huaja, Robert Pinkertoni shkruajti, “Nevoja e përkthimit të Dhiatës së Re [Biblës] në gjuhën shqipe më ka mbërthyer zemrën prej disa vitesh, dhe me të vërtetë nuk shpëtoj dot prej saj…”

Skocezi Robert Pinkerton ishte pjesë e një iniciative të guximshme që lindi mes të krishterëve të Britanisë së Madhe për përkthimin dhe përhapjen e Shkrimeve të Shenjta nëpër popujt e botës. Organizata që ata themeluan u pagëzua me emrin Shoqëria Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja.

Dyqind vjet më parë, kush e dinte se kjo shoqatë do të luante një rol vendimtar në zgjimin e popullit shqiptar? Në të njëjtën letër drejtuar bashkëpuntorëve të tij britanikë (e shkruar nga Stambolli)

Pinkertoni shpjegon, “Mësova për shtrirjen e madhe të popullit shqiptar….që janë përhapur gjerësisht në vendet e lashta siç janë Iliria, Epiri, Maqedonia e Greqia” dhe më poshtë tregonte “për rëndësinë e kësaj pune…për hir të fiseve të ndryshme shqiptare.”

Hapa konkrete u morën për realizimin e projektit pas prezantimit të Pinkertonit me mjekun shqiptar Vangjel Meksi, për të cilin Pinkërtoni shkruan: “Shpresoj që kam gjetur burrin e duhur për të sjellë bekimin më të madh bashkëkombësve të tij, dmth furnizmi i tyre më Dhiatën e Re në gjuhën amtare.

Ky person vjen me rekomandime të larta…dhe konsiderohet plotësisht i kualifikuar për këtë detyrë…” Meksi i hyri punës menjëherë, i sponsorizuar nga shoqata britanike dhe i papenguar nga autoritetet, të paktën fillimisht (fryma shoveniste ende s’e kishte pushtuar kishën lindore).

Duke qenë se nuk ekzistonte një alfabet i shqipes, u vendos të përdoren shkronja greke me disa modifikime. Dorëshkrimi i Meksit përfundon në Korfuz, në dorë të Isaac Lowndes. Isaku ishte një tjetër misionar i kishës britanike që po punonte për të zgjuar frymën e besimit në vendet e lindjes.

Ai u zgjodh si sekretar i Shoqërisë Biblike Joniane (e sapoformuar) dhe si i tillë ishte përgjegjës për të mbikëqyrur projektin e Biblës në gjuhën shqipe. Siç komenton studiuesi David Hosaflook, nëse Robert Pinkertoni ishte nismëtari kryesor i projektit shqip, Isak Laundzi ishte zbatuesi kryesor i tij.

Në vitin 1823, Isaku u takua me një peshkop ortodoks shqiptar, Grigor Gjirokastritin, i cili mori përsipër të kryente redaktimin e përkthimit. Një vit më vonë u shtyp Ungjilli sipas Mateut ndërsa në vitin 1827 doli në dritë botimi i Dhiatës së Re duke sjellë gjuhën shqipe “në një pikë të rrafshit botëror të letrës së shtypur” siç e përshkruan gjuhëtari Xhevat Lloshi këtë hap.

Mit’hat Frashëri e lavdëroi ndikimin e botimeve biblike të viteve 1824 dhe 1827. Sipas tij, ishte një arritje që përfundimisht e bëri gjuhën shqipe “një gjuhë të gjallë dhe të përdorur”.

Konstandin Kristoforidhi

Një tjetër lidhje e rëndësishme midis kishave perëndimore dhe popullit shqiptar është bashkëpunimi shumëvjeçar midis Aleksandër Tomsonit dhe Konstandin Kristoforidhit. Gjithçka filloi me përfshirjen e Kristoforidhit në një kishë ungjillore në Izmir, e cila ishte hapur nga misionarë amerikanë që predikonin në Turqi.

Një nga drejtuesit e kësaj kishe, amerikani Daniel Lad-i, e nisi Kristoforidhin për në Stamboll në vitin 1857 me qëllim që ky i fundit të kishte mundësi të ndërmerrte studime teologjike dhe të gjente hapësira për të kryer përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe.

Sa interesant është raporti që këta misionarë shkruajnë për Kristofodridhin: “…pas vitesh të trishtuara, gjeti libra protestantë dhe shpresonte se kishte siguruar ushqim për shpirtin e vet të uritur ….

Pa kaluar shumë kohë shkoi të takonte Rev. z. Ladd dhe pati shumë biseda me të …. dhe pas disa muajsh, shprehu dëshirën që të pranohej në kishë …. Ndonëse tashti është i punësuar me leverdi në Konsullatën austriake të këtij qyteti…. kohët e fundit ka dëshire që të përkthejë Shkrimet për shqiptarët. Është posaçërisht i përshtatshëm për këtë punë meqë ka arsim të mirë…ka dalë e dëshirueshme që të shtohet një kurs teologjik dhe ne e dërguam në Stamboll.”

Kristoforidhi nuk qëndroi gjatë në Stamboll, sepse e nisën pas disa muajsh për të kryer studime në Kolegjin Protestant në Maltë. Kolegji i Maltës ishte hapur nën mbikëqyrjen e kishës angleze për të realizuar arsimin e studentëve të përshtatshëm nga vendet e mesdheut, me idenë që ata do të përhapnin dritën e besimit pasi diplomoheshin dhe shkonin të punonin në profesione të ndryshme në vendet e tyre.

Në librin e Xhevat Lloshit mbi jetën e Kristoforidhit, riprodhohet një shkrim i dalë nga pena e Konstantinit gjatë kohës që ky ishte në Kolegjin Protestant. Citojmë prej saj: “Shqiptarët kurrë nuk e kanë dëgjuar fjalën e Zotit të thënë në gjuhën e tyre, ata nuk e njohin fare zbulesën hyjnore, profecitë e Perëndisë që përmbajnë Shkrimet e Shenjta; ata nuk njohin parimet më të thjeshta të mësimeve të krishterimit…

Kurrë nuk ka pasur misionarë në Shqipëri për t’u predikuar Ungjillin e mbretërisë qiellore, lajmet më të mira nga lart…. duke shpallur faljen e mëkatit, paqen, shpëtimin dhe jetën e pasosur, nëpërmjet Zotit tonë, Jezus Krisht, i vetmi ndërmjetës midis Perëndisë dhe njeriut. Portat e Shqipërisë për të pranuar Ungjillin janë të hapura….

Por shoqëritë misionare ende nuk e kanë kthyer vëmendjen e tyre te ky popull, duke i dërguar predikues të së vërtetës ungjillore. Cilat janë pengesat për ta futur Ungjillin në këtë popull të veçantë?” Kristoforidhi ishte jo vetëm një student i talentuar, por edhe shumë punëtor.

Njohuritë e reja për kulturën biblike i vuri menjëherë në punë duke iu përkushtuar përkthimit të Dhiatës se Re, madje në të dyja dialektet e shqipes gjatë kohës që ishte ende në Maltë. Por, meqë përkthimi i Vangjel Meksit ishte ribotuar më 1858, nuk u shfaq ndonjë interes për botimin e përkthimit të ri, të paktën në atë kohë.

Megjithatë, talenti i Kristoforidhit nuk do të humbiste, sepse pa kaluar shumë kohë doli në skenë misionari britanik Aleksandër Tomson.

Personi i duhur në kohën e duhur

Tomsoni ishte një njeri i përgatitur, kishte kulturë të gjerë dhe ishte një organizues i mirë. Përveç kësaj, ai e njihte mirë punën në Ballkan. Tomsoni kuptoi se duheshin hapur qendra të përhershme ne trevat shqiptare për shpërndarjen e frytshme të Shkrimeve të Shenjta në gjuhën shqipe, si dhe duheshin librashitës të aftë që kjo punë të realizohej në mënyrë efikase.

Më 1863, Aleksandër Tomsoni bëri një udhëtim në trojet shqiptare, duke parë nga afër gjendjen. Deri në atë çast, shpërndarja e Biblës në Shqipëri kishte qenë e fokusuar në zonat jugore dhe pa ndonjë strategji të menduar mirë.

Ky udhëtim i bëri përshtypje aq të madhe Tomsonit sa për 30 e kusur vite në vazhdim i kushtoi vëmendje të veçantë popullit shqiptar, ndonëse ishte përgjegjës për punën në shumë popuj.

Fillimisht Tomsoni gjeti dhe caktoi Herman Ridelin, si përgjegjës të Shoqërisë Biblike për Shkodrën. Shkodra mund të shërbente si një bazë e mirë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për popuj të tjerë të rajonit. Nga Shkodra, punojës të shoqatës do të shkonin në zonat veriore të Shqipërisë, në Kosovë, por edhe më gjerë.

Po ashtu, Tomsoni gjeti një përfaqësues për Shqipërinë Jugore, Aleksandër Davidsonin nga Edinburgu. U vendos që ky të punonte në Janinë dhe u siguruan ambjente të posaçme për depon e librave aty.

Pas tyre, erdhën të tjerë “burra të Biblës” që shërbyen me besnikëri dhe sakrificë. Shpesh herë misionarët e Biblës mirëpriteshin, por ndodhte edhe e kundërta. Shumë herë u kundërshtuan vetëm sepse shpërndanin libra në gjuhën shqipe.

Kishte drejtues të fesë që gëzonin kur shikonin my sy librin e Zotit në gjuhën shqipe për herë të parë, por kishte të tjerë që ishin aq paragjykues, sa i ndalonin rreptësisht njerëzit e tyre, në mënyrë që të mos i blinin librat.

Nuk ka si të mos na bëjë përshtypje besimi që i motivoi këta “misionarë të librit” të duronin vështirësitë për t’i ofruar dritë një populli të pushtuar nga padije dhe të zhytur në bestytni. Pa kaluar shumë kohë, Tomsoni arriti të bindë shoqatën britanike se kishte nevojë për një përkthim të ri të Biblës dhe që personi më i përshtatshëm për këtë vepër ishte Konstandin Kristoforidhi.

Në këtë mënyrë, Tomsoni, cilësuar si figura joshqiptare më e rëndësishme në historinë e zhvillimit të librit shqip, nisi një bashkëpunim të gjatë me “babain e gjuhës shqipe”, Kristoforidhin. Ne vitin 1865, Tomsoni, Kristoforidhi dhe Nikollë Gjon Serreqi (nga Shkodra) u mblodhën në Stamboll, për të redaktuar tekstin e Ungjillit sipas Mateut në gegërisht.

Puna vijoi me botimin e “Katër ungjijtë dhe Punët e Apostujve”, në gegërisht e pastaj një sërë botimesh të tjera duke përfshirë një libër për fëmijë me historitë e Biblës. Që në fillim, Aleksandër Tomsoni u ndesh me një problem praktik, pasi shumë pak shqiptarë dinin të lexonin shqip.

Tomsoni e kuptoi që shpërndarja e Biblës duhet të shoqërohej me shpërndarjen e abetareve. Ndaj, në vitin 1865, Tomsoni udhëzoi Kristoforidhin të krijonte një abetare për alfabetin e ri. Mirëpo, sipas rregullave të saj, Shoqëria Biblike nuk mund të miratonte botimin e asnjë libri tjetër përveç Biblës.

Duke ditur këtë, Tomsoni i siguroi fondet që të botohej abetarja e Kristoforidhit nga Shoqëria e Broshurave Fetare, një shoqatë tjetër e kishave angleze. Në muajt dhe në vitet e ardhshme, siç dokumentohet, Tomsoni mori lajme nga Berati, Elbasani, Tirana, Durrësi, Vlora, Stambolli, Italia, Rumania, Sicilia dhe vende të tjera se Shkrimet e Shenjta po lexoheshin nga ortodoksët, myslimanët dhe katolikët shqiptarë.

Kristoforidhi ndërmori një fushatë në Shqipërinë Qendrore për të nxitur përdorimin e librave të shoqatës dhe u prit mirë në vendlindjen e tij, Elbasan. Ai arriti të bëjë një marrëveshje për përdorimin e Shkrimeve në shkollat e Dibrës.

Ai bëri vizita me mirditorët dhe i nxiti të arsimoheshin. Në Berat, gjashtë shkollat për djem dhe dy për vajza pranuan Shkrimet e Shenjta në gjuhën shqipe dhe Kristoforidhi u gëzua kur gjeti një mësuese që kishte mësuar sistemin e ri të shkrimit dhe u kishte mësuar tri klasave të saj të lexonin shqip.

Ndonëse me kalimin e viteve, zelli i Kristoforidhit për besimin u pakësua, nuk ka dyshim se bashkëpunimi midis tij dhe misionarit Britanik Tomson shënoi arritje të jashtëzakonshme. Pohimi që “ndërmjet viteve 1865–1879, të vetmit libra shqip, që janë prodhuar dhe që kanë qarkulluar në Shqipëri, kanë qenë librat e Kristoforidhit, botuar nën kujdesin e Tomsonit dhe shoqatës biblike” është mbresëlënës.(1)

Fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20, dëshmuan zgjerimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve të shquar dhe misionarëve protestantë. Shoqëria Biblike Britanike bashkëpunoi ngushtë me rilindasit, sidomos me vëllezërit Gjerasim dhe Gjergj Qiriazi, por edhe me shumë të tjerë. Dhe duhet vlerësuar roli i misionarëve amerikanë që erdhën në Manastir dhe në Korçë gjatë asaj periudhë. (2)

Sigurisht, gjatë viteve që pasuan, shumë peripeci i ranë popullit shqiptar, duke i hequr nga dora edhe një herë Biblën, ai libër që zgjoi shqiptarinë dhe besimin e shqiptarëve në Zotin. Por kjo është një tjetër histori.

3 Shënim: Në Tiranë është themeluar Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, drejtuar nga David Hosaflooku. Faqja e tyre në internet: http://instituti.org Disa prej të dhënëve e këtij artikulli bazohen në burimet e tyre.

_______________

1 David Hosaflook, – Lëvizja Protestante ndër shqiptarët, 1816-1908 – (disertacion), Universiteti i Tiranës, 2017.

2 Po aty

3 Po aty