KUNDËR ZOTIT?

0
13

Përse e doni të keqen? Përse nuk kërkoni të mirën? Në vend të dritës, përse zgjedh errësirën? Përse largohesh nga Zoti dhe zgjedh rrugën e gabuar? Përse ky mosbesim? Vërtetë mendon se ke të drejtë të vazhdosh ashtu siç je? Çfarëdo që të ka ndodhur, a thua që të shfajëson nga kjo mospërfillje ndaj atij që të dhuroi jetën, ndaj atij që të jep forcën dhe të fali të gjitha aftësitë që ti ke?

Mos u trego naiv. Ti e di që rruga e keqe të çon në humbje. Nuk besoj se je kaq i verbuar sa të mendosh që rruga e keqe do të të shpjerë në vend të mirë. Sepse ti e di që të gjitha rrugët diku përfundojnë. Aq joshës është mëkati sa të rrezikosh gjithçka për të, sa të humbasësh për të?

Me siguri mëkati po të shkatërron, po të ha shpirtin pak nga pak. Mëkati po të fundos dhe thua që nuk dëshiron të zgjohesh për të kërkuar rrugëdaljen? Të gjithë gabojnë, por jo kështu. Nga mëkate të vogla tashti po shkon drejt mëkatit të madh.

Po shkel me këmbë mbi mirësinë e Zotit. Si ia arriti qëllimit djalli të të bëjë për vete? Me se të bleu? Me çfarë të joshi? Aq shumë të pëlqen e keqja sa besove gënjeshtrat e tij? Apo e mban veten për të mençur dhe kujton që je zot i fatit tënd? Vërtetë? Por çfarë të mire të ka bërë djalli ty, që ti të bëhesh skllav i tij?

“Nuk jam skllav!” thua i revoltuar! Atëherë, na e shpjego pak se çfarë janë ato fije që po të dalin nga pas dhe kush po i luan të të komandojë si të dojë? Nuk e kupton fare se përse bëhet fjalë? Nuk i ke vënë re ato fije të lakmisë, të smirës dhe të inatit që po të tërheqin herë andej e herë këtej? Qysh e lidhe fatin tënd me atë të djallit?

Ke sy të shikosh shumë gjëra, por s’ke sy të shikosh të vërtetën! Ke vesh për të dëgjuar muzikën, filmat, politikën, dhe horoskopin por s’ke veshë të dëgjosh fjalën e Zotit. Akoma duhet të durojë Zoti sjelljen tënde arrogante? Sa shanse ke patur deri më sot? Dhe sa shanse të kanë ngelur?

Sot është dita e shpëtimit. Tani është koha të përulësh veten e t’i lutesh Zotit për dritë. Erdhi koha të kërkosh të mirën, atë që ke refuzuar ndofta shumë herë. Mos e refuzo më! Mos u trego më mosmirënjohës! Mjaft më larg Zotit!

Qesh mirë, kush qesh i fundit

Tallu po deshe. Qesh me këto që po të lexojnë sytë. Ndofta marrëzia jote shkon deri aty sa ta bësh edhe këtë. Por, ngado të rrotullohesh, ti e di që tek ai vend do vesh në fund. Atëherë, ballë për ballë me gjykatësin e madh, çfarë do të thuash? Do t’i kërkosh llogari apo do të të kërkojë llogari? Dhe kur të ngelësh në errësirë të plotë dhe të jetë vulosur përfundimisht fati yt, çfarë ngushëllimi do të kesh? Do tallesh me Zotin?!

Nuk e besoj. Është një shenjë e dashamirësisë së Zotit që pavarësisht kësaj mosmirënjohje, ti vazhdon të jetosh në tokën e tij. Por nëse nuk të bën përshtypje mirësia e Zotit dhe nuk ndien fare frikë prej Perëndisë, vetëm një gjë të ngelet dhe është e kotë të të shpjegohet se çfarë është.

Ungjilli thotë: “Drita erdhi në këtë botë, por njerëzit e deshën errësirën më shumë se dritën sepse veprat e tyre ishin të liga. Kush bën gjëra të këqija e urren dritën dhe nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij. Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë”.