Cili është kuptimi i vërtetë i kryqit?

Kryqi është simboli më i zakonshëm i krishterimit. Është ky simbol që na kujton kryqëzimin e Jezus Krishtit. Besimtarët e Krishtit shikojnë vdekjen e tij në kryq si një burim bekimesh në jetën e tyre. Forma e krishterë për bekimin duke bërë shenjën e kryqit mbi veten, një person tjetër ose mbi një send e ka origjinën para viteve 200 pas Krishtit. Mbetjet arkeologjike më të vjetra të krishtera përmbajnë vizatime kryqesh dhe vepra arti në formë kryqi.

Me anë të përdorimit të këtij simboli të krishterët e hershëm shprehnin besimin e tyre te Krishti në një mënyrë personale. Në shekujt e mëvonshëm kryqi u bë një simbol i rëndësishëm në skicimin e emblemave të familjeve të pasura, në skicimin e flamujve dhe zbukurimeve, sidomos në vendet evropiane ku Krishterimi u bë feja zyrtare.

Fatkeqësisht kjo ka çuar herë pas here në keqpërdorimin e kryqit në emër të interesit kombëtar ose personal. Është tragjedi që ky simbol i paqes shpesh është përdorur si flamur lufte. Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë fetarë, Jezusi nuk mësoi se besimi te Perëndia duhet të përhapet me përdorimin e forcës.

Besimi i krishterë është një fe paqeje. “Ktheji faqen tjetër” është ndër fjalët më të njohura të Jezus Krishtit. Kushdo që nuk ka arritur ta kuptojë këtë nuk ka arritur ta kuptojë Krishtin. Kryqi në Bibël ndonjëherë nënkupton atë kryq druri në të cilin Zoti Jezus u gozhdua dhe u dënua me vdekje në Kalvar.

Kryqi ndonjëherë nënkupton vështirësitë dhe sprovat nëpër të cilat duhet të kalojnë besimtarët nëse e ndjekin atë besnikërisht, për hir të besimit të tyre. Ky është kuptimi në të cilin Zoti ynë përdor fjalën kur thotë: “Ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”.

Por kryqi gjithashtu nënkupton mesazhin se Krishti vdiq në kryq për mëkatarët. nënkupton vuajtjen e tij në vend të tyre në kryq, flijimin e plotë dhe të përsosur për mëkatin që e ofroi kur e dha trupin e vet për t’u kryqëzuar. Me pak fjalë, kjo fjalë e vetme, “kryqi”, përfaqëson Krishtin e kryqëzuar, Shpëtimtarin e vetëm.

Ky është mesazhi që qëndron pas simbolit. Nëse mesazhi që qëndron pas simbolit nuk kuptohet dhe besohet, atëherë të vendosësh kryqe në qafë ose në derën e shtëpisë, madje edhe në majë të ndonjë mali, nuk ka vlerë gjithsesi. Fjala e Perëndisë thotë: “Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë”.