HomeMesazhi 10Krishtlindjet pa Krishtin

Krishtlindjet pa Krishtin

Më 25 dhjetor, festohet lindja e Birit të Perëndisë. Ardhja e tij solli dritë në një botë të errët dhe shpresë njerëzve të vuajtur. Kudo që shkoi, Jezusi bëri të mira duke shëruar të sëmurët dhe duke shpëtuar ata që kishin rënë pre e djallit. Edhe pasi shkoi në qiell, lajmi që Krishti vdiq në kryq për të shlyerfajet e njerëzve pati një ndikim të jashtëzakonshëm.

Brenda pak vitesh, një numër i madh njerëzish hodhën poshtë idhujt e tyre dhe besuan në emrin e tij. Duke u larguar nga e keqja, ata hynë në rrugën e Perëndisë. Bota filloi të ndryshojë. Errësira i la vendin dritës dhe padija u zëvendësuar nga njohja e së vërtetës.

Po sot ku jemi?

Ndonëse krishtlindjet i feston shumica e popujve të botës, në shumë raste nuk
dallohet më arsyeja. Duket sikur ato dritat artificiale po na verbojnë për të mos parë
kuptimin e vërtetë të krishtlindjes. Santa Klausin (një shenjtor shembullor që
u kujdes për të varfërit) e kanë shndërruar në një plak magjik i cili ia ka zënë vendin
Jezusit. Engjëjt janë përzënë nga elfët, ndërsa këngët adhuruese janë këmbyer me
ato që kanë tekste krejt sensuale.

Edhe pse është shumë normale që festa të shoqërohet me ushqime të veçanta, kur kjo bëhet qëllim në vetvete, atëherë krishtlindja kthehet në një festë për barkun e jo për Perëndinë. Të mos zëmë në gojë argëtimet e organizuara me dixhej, ku alkoli dhe droga janë bërë menuja e preferuar. Me të drejtë krijohet përshtypje se në mbrëmjet e krishtlindjes qenka e përligjur shthurja. Gjithçka shoqërohet me emisione televizive bajate ku e vetmja gjë që ka ngelur nga krishtlindjet është emri.

Kush e di si i duron Zoti të gjitha këto? Ndofta keni dëgjuar se si Jozefi dhe Maria
kërkuan vend strehimi në Betlehem, por nuk gjetën asnjë përveç se një stallë, aty
ku u detyrua të lindte virgjëresha fëmijëne saj të shenjtë. Edhe sot, për ironi, dyert
janë të mbyllura ndaj Krishtit, edhe pse shtëpitë janë të zbukurara me dritat e
krishtlindjes, bredhin e saj, dhe gjithçka tjetër që simbolizon kjo festë.

Është paradoksale gjithashtu, si të pasurit i bëjnë dhurata ekstravagante njëri-tjetrit
duke uruar “Gëzuar Krishtlindjet!” me një vetkënaqësi dhe hipokrizi të theksuar. Por çfarë lidhje ka lindja e Krishtit me të tilla veprime? Ai që lindi në skamje dhe jetoi në thjeshtësi tha: “Kur të japësh një festë, ftoni nevojtarin, të sëmurin dhe të verbërin; atëherë do të jesh i lum”.

Ndërsa këta harrojnë të vafërin edhe kur kujtohen të bëjnë ndonjë bamirësi ftojnë gjithë gazetarinë, për të bërë reklamë faktit që janë njerëz shpirtmirë. Kush i beson?
Mendoni sikur ju të keni ditëlindjen dhe të ftuarit tuaj i ndajnë dhurata njëri tjetrit,
por ty nuk të dhurojnë asgjë.

Do të ishte i pranueshëm ky veprim fyes? Patjetër që
jo. Dikush mund të pyes “Çfarë dhuratë kërkon Krishti nga unë?” Ai kërkon pendimin dhe besimin tënd të sinqertë. Kjo është dhurata që ne mund t’i bëjmë Krishtit, të gjithë si njerëz të pasur dhe të varfër, sepse të gjithë jemi mëkatarë dhe kemi nevojë t’i afrohemi Zotit.

O botë kurorëshkelëse!

Sa do të vazhdoni kështu? Kush e tjetërson festën e krishtlindjes nga padija edhe mund të falet. Por ai që e shtrëmbëron me qëllim, të mos mendojë se do të harrohet shpejt ky mëkat. Bibla thotë: Mjerë ata që e quajne errësirën dritë dhe dritën errësirë. Mjerë ju nëse injoroni Zotin pa u penduar. Krishti erdhi një herë si fëmijë dhe i përulur. Herën tjetër do të vijë t’i kërkojë llogari botës. Vepra e secilit do të vihet në dritë dhe atëherë do të marrë shpërblimin që i takon.

Most Popular

Recent Comments