Dy fjalë për këngët e krishtlindjes dhe zanafillën e tyre

Festat e fundvitit kanë patur gjithnjë lidhje me këngën. Muzika e krishtlindjes dhe këngët e kësaj feste janë ndër më të bukurat që janë shkruar. Një pjesë e ketyre këngëve janë përkthyer në gjuhën tonë dhe këndohen nëpër kisha shqiptare. Ato dëgjohen edhe në ambiente të tjera, dhe me të drejtë, sepse këngët e krishtlindjes nuk ka pse të mbyllen brenda mureve të kishës.

Ato kanë një vlerë që i përket të gjithë atyre që duan ta festojnë këtë festë. Një nga traditat më të bukura të
krishtlindjes është ajo e kënduarit të këngëve prej një kori në sheshet publike. Është një praktikë që krijon një atmosferë të veçantë, por edhe përcjell më së miri mesazhin e dashurisë dhe të mirësisë që mbart kjo festë.

Historikisht, këngët e krishtlindjes quhen Carole, që vjen nga frëngjishtja. Kjo fjalë i referohej valles në formë rrethi, siç ishte vallja popullore, që praktikohej në kohën e festave në periudhën e mesjetës. Mirëpo, gjatë viteve kjo fjalë u lidh në veçanti me këngët e krishtlindjes, për të cilat përdoret sot. Kjo fjalë jepet në anglisht si Christmas Carol.

Këto këngë që quhen “karol”, nuk  janë thjesht këngë hareje për festat, por janë ato këngë që përcjellin, të paktën pjesërisht, mesazhin dhe historinë e lindjes së Krishtit. Tematika si: shpresa, mirësia, besimi, çlirimi dhe dashuria hyjnore janë elemente të rëndësishme. Disa prej këtyre këngëve janë shkruar qindra vite më parë, kur shumica e popullsisë nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte.

Në atë periudhë, kënga ishte një mjet i domosdoshëm për të transmetuar histori të rëndësishme siç janë krishtlindjet. Tradicionalisht, këngët e krishtlindjes këndohen nga data 21 dhjetor deri në 25 dhjetor, por pak janë ata që i përmbahen këtyre datave sot.

Ndoshta kori më i famshëm që këndon për këtë festë është ai i Kishës së Mbretit në Kolegjin e Kembrixhit, në
Angli. Çdo vit në datën 24 dhjetor mbahet një shërbesë në këtë kishë që fillon gjithmonë me këngën “Një herë në qytetin e Davidit”. Për të siguruar hyrjen në këtë ngjarje të jashtëzakonshme muzikore nuk të kushton asnjë vlerë monetare, por duhet vetëm të përballesh me të ftohtin ndërsa pret disa orë në radhë.

Këngët festive me qirinj

Të kënduarit me qirinj në dorë i këngëve të krishtlindjes është një imazh i njohur por me origjinë të vonshme. Në shekullin 19, minatorët në Moonta, një qytet në jug të Australisë, mblidheshin në prag të festës për të kënduar këngë me qirinj të ndezur të vendosur mbi strehën e kapeleve të tyre.

Ky përdorim i qirinjve u përhap në disa qytete, derisa i ra në sy të Norman Banks-it, një prezantues që punonte në radio, i cili nuk donte që njerëzit t’i festonin vetëm krishtlindjet. Ai organizoi një manifestim në Alexandra Gardens në vitin 1938, ku u mblodhën rreth 10.000 veta për të kënduar me qirinj në dorë, një
praktikë që vazhdon edhe sot.

Festa e krishtlindjes është vetëm një festë ndërkombëtare. Në të gjitha shtetet e Evropës ajo festohet, madje në shumë shtete rreth botës që nuk shquhen për traditën e krishterë. Kudo që festohen krishtlindjet dëgjohen tinguj të këngëve të krishtlindjes, nëpër shkolla, nëpër sheshe, dhe nëpër shtëpitë e të gjitha shtresave dhe
njerëzve që e pranojnë këtë frymë.