HomeMesazhi 1Kënga e Emigrantit

Kënga e Emigrantit

Historia e vërtetë e një kënge të famshme

Kënga “Ç’mik Na Është Jezu Krishti!” është përkthyer dhe kënduar për herë të parë në gjuhën shqipe në fillim të shekullit njëzet. Historia e kësaj kënge lidhet me fatin e një emigranti irlandez që shkoi për të kërkuar një jetë më të mirë në kanada. Jozef Skriveni ka lindur afër Bangrixh, në Irlandë.

Pasi u diplomua në të famshmin Kolegji Triniti në Dublin,ai dukej se po shkonte drejt një karriere të shkëlqyer dhe një jete të lumtur, sepse, në të njëjtën kohë, ishte fejuar. Por pikërisht atëherë i ra tragjedia! E fejuara e tij u mbyt aksidentalisht në prag të dasmës dhe Jozefi u zhyt në hidhërim të thellë. Mirëpo, kjo tragjedi e shtyu Jozefin drejt një besimi më të fortë.

Jozefi mori vendimin për të shkuar në botën e re, që ta fillonte jetën sërish dhe, siç shpresonte, t’i linte pas të gjitha pikëllimet e tij. Në vitin 1845 Jozefi u nis me anije për në Kanada. Por pati probleme me shëndetin dhe ai u detyrua të kthehej në Irlandë pas vetëm dy muajsh. Dy vjet më vonë ai u nis prapë drejt Kanadasë për të filluar punë si mësues. Në këtë ai doli i suksesshëm.

Më në fund, i dukej se ia vlente të jetonte. Përsëri ai takoi një vajzë dhe u dashurua pas saj; kësaj radhe ishte një vajzë njëzet e tre vjeçare. Ata u fejuan, megjithatë, edhe një herë i ra fatkeqësia, sepse kjo vajzë u sëmur rëndë, papritmas, dhe vdiq kur ishin ende të fejuar. I vjedhur, për herë të dytë, nga dora e vdekjes që ia rrëmbeu shpresën e një martese të lumtur, Jozefi ra në një depresion të thellë dhe shëndeti iu prish.

Megjithatë, ai nuk hoqi dorë kurrë nga besimi te Zoti. Në këtë kohë ai u vendos në Portin Shpresa (Port Hope) të Ontarios dhe u bë përgjegjës e një baxhoje të vogël atje. Me kalimin e kohës ai arriti të njihej si “Samaritani i Mirë” i atij vendi, sepse ndihmonte të varfërit dhe fatkeqët, duke ndarë bukën e tij me nevojtarët dhe shpeshherë duke u dhënë edhe rroba.

Sidoqoftë, të gjitha këto vepra të mira mund të ishin harruar po të mos kishte shkruar Jozefi njëzet e katër rreshta poezie për të ngushëlluar nënën e tij e cila vuante nga një sëmundje e rëndë. Meqënëse Jozefi nuk ishte në gjendje të bënte udhëtimin e gjatë për t’u kthyer në Irlandë, ai shkroi poezinë “Ç’mik na është Jezu Krishti” dhe ia dërgoi mamasë për t’ia kujtuar “mikun që nuk të lë kurrë”.

Unë jam i sigurt që poezia dhuroi ngushëllimin e duhur. Përmes sprovave të tij Jozefi kishte arritur të shihte Krishtin, jo vetëm si Zot, por edhe si mik. Jozefi nuk synoi që poezia e tij të botohej. Por rastësisht një shok zbuloi rreshtat në shtëpinë e Jozefit dhe e pyeti, “Kush ka shkruar këto fjalë të bukura?” Jozef i dha përgjigjen: “Zoti dhe unë e shkruam që të dy.”

Pas pak poezia u botua në gazetën lokale. Çuditërisht, një kopje e asaj gazete u përdor për të mbështjellë një pako e cila iu dërgua një adrese të caktuar në Nju York. Kur marrësi hapi pakon ai vuri re poezinë e Jozefit dhe siguroi botimin e saj në atë qytet.

Më në fund, ajo u pa nga kompozitori i madh, Çarls Konvers, dhe shumë shpejt kënga u përhap në botën anglishtfolëse. Sot, “Ç’mik Na Është Jezu Krishti!” është pa dyshim një nga himnet më të njohura të kishës.

Ç’mik na është Jezu Krishti!

Në çdo rast Ai na mbron.

Ç’privilegj t’i shpiem Zotit

Çdo gjë që zemrën na lëndon

Oh ç’gëzim shum’ her’ largojmë,

Oh ç’mundime heqim kot

Vetëm se s’ia bëjm’ të njohur

Me lutjen ton’ të madhit Zot.

Kemi ngasje dhe mundime?

Jemi mbush’ me hidhërim?

Le t’ia bëjm’ të njohur Zotit.

Na dhuron Ai gëzim.

A gjejm’ dot një mik të tillë?

Tjetër mik si Zotin Krisht?

Jo! Pra zemrën hap, tregoji

Ç’të mundon ty kotësisht.

Në je rëndë i ngarkuar

Edhe barrën nuk mban dot,

Ngri lart syt’ e vështro Zotin,

Veten mos mundo më kot!

Të mërzitin njerëzia?

Nuk të mbet’ mbi dhe një mik?

Thuaja të gjitha Zotit!

Ai ësht’ miku më besnik.

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments