Shtëpia është klasa bazë e jetës. Ajo që mësohet në shtëpi, kontribuon së tepërmi në drejtimin e jetës sonë. Fakti është se, sado të mirë të jenë mësuesit, gjithçka që bëjnë ata është vetëm një shtesë ndaj mësimit që bëhet në shtëpi. Bëjmë gabim kur e nënvlerësojmë rëndësinë e shembujve dhe përvojës së përditshme që siguron jeta familjare.

Kur isha katër vjeç

Më kujtohet një ditë kur isha vetëm katër vjeç dhe familja jetonte në një shtëpi të vogël dy-dhomëshe. Babain e kisha në shtrat, duke u djegur nga ethet. Jashtë kishte një furtunë të madhe, dhe nëna ime, vëllai im pesë vjeçar dhe unë po nxirrnim tiganë, kova dhe poçe të ndryshme për të kapur ujin që rridhte përmes çatisë. Motra ime e vogël flinte në një djep pranë babit.

Kur i vendosëm të gjitha tiganët, poçet dhe kovat, mami na thirri mënjanë bashkë me vëllain dhe na tha të përgjunjeshim për t’u lutur. E di me siguri se ajo më kishte ndihmuar që të lutesha shumë herë më parë, por kësaj here ishte ndryshe. Më kujtohet që më ndihmoi me fjalët e lutjes.

Ato ishin pak a shumë kështu: “Ati ynë qiellor, ne kemi vërtet nevojë për ndihmën tënde. Kemi nevojë të na shërohet babi. Të lutemi bekoje të shërohet. Kemi nevojë që çatia të mos pikojë më, që ai të mos laget, se ndryshe do të ftohet dhe do të sëmuret më keq. Ne të duam, o Ati ynë qiellor, dhe gjithmonë duam të të shërbejmë.”

Duhet të kemi thënë dhe shumë gjëra të tjera në atë lutje, por ato fjalë besimi nga nëna ime e dashur në vitet e fëmijërisë sime, nuk më janë shqitur kurrë nga mendja. E mësova rëndësinë dhe vlerën e lutjes në shtëpi përmes shembullit dhe mësimeve të prindërve të mi besnikë dhe të bindur.

Fuqia e Njerëzve Modelë

Dikush ka thënë se tre mësuesit më të mëdhenj janë shembulli, shembulli dhe shembulli. Fëmijët tanë do të mësojnë shumë më tepër duke na vëzhguar si jetojmë —si veprojmë dhe çfarë bëjmë—sesa në çdo lloj mënyre që do të zgjedhim t’i mësojmë. Fëmijët i mësojmë që të jenë të ndershëm dhe të drejtë duke qenë vetë të ndershëm dhe të drejtë. Fëmijët i mësojmë të shërbejnë mirë duke shërbyer vetë mirë.

I mësojmë të falin duke falur vetë. I mësojmë të duan dhe të kenë mirësi duke u treguar vetë të dashur dhe të mirë. Fëmijëve ua mësojmë rëndësinë e besimit në Perëndinë kur besojmë vetë në Perëndinë. Fëmijët do të mësojnë përmes shembullit dhe sjelljes sonë që të bëjnë të njëjtën gjë. Duhet të jemi vetë, ashtu siç duam të na bëhen fëmijët.

Rëndësia e Librit

Një ndihmë e madhe për jetën familjare është leximi i librave së bashku. Orari i fëmijës përbëhet nga koha në shkollë, në lojëra, vaktet e ngrënies, dhe gjumit. Por duhet të ketë gjithmonë vend për leximin e Biblës. Asnjë fëmijë nuk është tepër i vogël apo tepër i rritur për të mësuar nga libri më i rëndësishëm i historisë.

Jam i bindur që ajo familje që e lexon Biblën së bashku, do të bekohet. Nganjëherë, koha e Biblës mund të duhet të shkurtohet edhe më tepër për shkak të përgjumjes së fëmijës, ose ndonjë dite të keqe. Qëllimi është të mbetesh i përkushtuar. Kjo do të bëhet një pjesë e ditës së fëmijës tënd, saqë do fillojë të ta thotë: “Babi, nuk na ke lexuar sot!” B.K.