Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.

Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara, dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.

Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. Ungjilli-1

Fatet janë të ndryshme

Çfarë kontrasti që ka midis dy njerëzve në shëmbëlltyrë! Krishti na tregon për një pasanik dhe një të varfër. Njëri ka shumë të mira nga kjo botë; tjetri nuk ka asgjë. Të dy janë pasardhës të Adamit; të dy i përkasin familjes njerëzore; të dy jetojnë në të njëjtin vend nën të njëjtën qeveri.

Por sa të ndryshme janë kushtet e tyre! Duhet të tregohemi të kujdesshëm se mos mësojmë nga shëmbëlltyra gjëra që s’janë për mësim. Të pasurit nuk janë të gjithë njerëz të këqij, dhe jo çdo i pasur do shkojë në ferr. Gjithashtu, jo të gjithë të varfërit janë njerëz të mirë, dhe jo të gjithë do shkojnë në parajsë.

Nuk është mëkat as të jesh i pasur e as të jesh i varfër. Krishti nuk lavdëron apo qorton kushtet e asnjërit prej tyre. Ai vetëm po përshkruan gjërat siç zakonisht janë në botë. Për aq kohë sa ka disa të mençur e disa të ngathët, disa të fortë e disa të dobët, disa të shëndoshë e disa të sëmurë, disa punëtorë e disa dembela, të gjitha këto së bashku me faktorë të tjerë, bëjnë që të ketë gjithmonë disa të pasur e disa të varfër.

Gjersa mëkati të flaket tutje nga bota, dhe zemrat e njerëzve të bëhen të shenjta, nuk do ketë kurrë lumturi dhe barazi universale. Asnjë qeveri, edukim, apo politikë nuk do mund ta bëjë një gjë të tillë. Kjo nuk do të thotë që s’duhet të ndihmojmë të varfërit. Por duhet të kuptojmë që deri sa të vijë Zoti përsëri, do ketë gjithmonë të pasur dhe të varfër në botë.

Suksesi i njeriut në këtë botë nuk përcakton gjendjen e tij shpirtërore

Shumë njerëz do e quanin situatën e njeriut të pasur, tepër ideal. Me sa duket ai paska patur çdo gjë që zemra e tij dëshironte. Por e vërteta është se ai pasanik ishte jashtëzakonisht i varfër. Kur gjërat e mira të kësaj jete iu morën, ai nuk kish asgjë ç’të merrte me vete në botën tjetër. Ai kishte pasuri në tokë, por asnjë thesar në qiell. Ai kishte rroba të bukura, por jo veshjen e drejtësisë.

Kishtë miq në tokë, por asnjë Mik apo Avokat në të djathë të Perëndisë. Ai kurrë nuk hëngri nga buka e jetës, dhe kur la shtëpinë e mrekullueshme prapa, nuk kishte shtëpi për të në parajsë. “Pasuria” e tij nuk ishte pasuri e vërtetë, sepse ai ishte pa Perëndi, pa besim, pa falje e pa shpresë.

Kur ai vdiq ai vajti në ferr, në të vertetë ishte tepër i varfër. Nga ana tjetër, Llazari nuk kishte asgjë nga kjo botë. Është tepër e vështirë të imagjinohet një situatë kaq e varfër dhe e mjerë. Por në të vërtetë, Llazari ishte i pasur. Ai ishte fëmijë i Perëndisë, me trashëgimi në qiell.

Pasuria e tij ishte e përjetshme dhe e vërtetë. Ai kishte veshjen më të bukur – drejtësinë e Krishtit. Kishte mikun më të mirë, Perëndinë. Përsa i përket ushqimit, ai ushqehej me bukën e jetës. Këto gjëra i kishte përgjithmonë, në vdekje dhe në jetë. Siç e shikoni pra, ne duhet t’i masim njerëzit sipas standardit të Perëndisë, dhe jo sipas standardeve të kësaj bote.

Një lypsar që beson është më i nderuar në sytë e Perëndisë sesa një president apo kryeminister që nuk beson. Një njeri mund të jetë i madh dhe i admiruar për një farë kohe, por më pas të përjetojë errësirën dhë mjerimin e përjetshëm. Dikush tjetër mund të jetë i injoruar në këtë jetë, por ai kalon përjetësinë në lavdi me Krishtin.

Pasuria dhe lavdia e botës nuk janë provë e favorit të Perëndisë. Shpesh këto janë kurth dhe pengesë për shpirtin e njeriut, duke e nxitur të dojë botën dhe të harrojë Perëndinë. Varfëria dhe sprovat nuk janë provë e zemërimit të Perëndisë. Shpesh këto janë shkolla për të mësuar njeriun të vlerësojë gjërat qiellore.

I pasuri dhe i varfëri, të dy përfundojnë në varr

Ndonëse janë kaq të ndryshëm në jetë, si Llazari ashtu dhe pasaniku kanë të njëjtin fat. Të dy vdesin. Ky është fati i çdo njeriu, dhe fati yt dhe i imi. Vdekja është një armik i madh që askush s’mund ta mposhtë. Nuk kursen askënd, e nuk respekton askënd. Nuk pret për ty kur të jesh gati.

Vjen në orën e caktuar nga Perëndia. I gjithë njerëzimi e di këtë fakt, por shumica prej tyre nuk e vlerëson. Nëse do bënin një gjë të tillë, do vepronin ndryshe. Ç’budallallëk është të punosh vetëm për këtë botë dhe të kesh shpresë vetëm te ngushëllimet e shkurtra të saj, dhe të humbasësh jetë të përjetshme!

Shpirti i një besimtari është tepër i çmuar në sytë e Perëndisë

Sa i çmuar është shpirti i një besimtari në sytë e Perëndisë! Pasaniku vdiq dhe u varros. Ndoshta kishte një varrim të mrekullueshëm, por gjëja tjetër që lexojmë është se ai ra në vuajtje të vazhdueshme. Llazari padyshim nuk kishte një varrim të shkëlqyer, por u mor nga engjëjt në një vend pushimi në gji të Abrahamit.

Askush nuk ka miq sa një besimtar. Engjëjt e mbrojnë në botë, kujdesen për shpirtin e tij pas vdekjes dhe e shpien të sigurt në shtëpi. Ndonëse ai mund ta konsiderojë veten të varfër e të ulët, por ja për besimtarin më të ulët dhe më të varfër kujdeset vetë Zoti lart në qiell, me një kujdesje që zor se mund ta kuptojmë.

Kur një njeri pranon Krishtin me sinqeritet, ai ka të gjitha përfitimet e një beslidhjeje të sigurt dhe të vendosur. Të gjitha mëkatet i janë falur dhe zemra i është dhënë jetë të re. Krishti do i mësojë të vërtetën. Krishti do jetë më të në çdo kohë. Asgjë s’do e lëndojë atë pa lejen e Perëndisë.

Të gjitha sprovat kontrollohen me urtësi; të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë të tij. Dhe kur puna e tij të jetë përfunduar, engjëjt e Perëndisë do e marrin në krahë e do e shpien me lavdi në shtëpinë e tij qiellore.

Egoizmi është i rrezikshëm dhe shkatërrues për shpirtin

Vëreni se sa i rrezikshëm dhe shkatë- rrues është mëkati i egoizmit. Ne nuk lexojmë që i pasuri ishte vrasës, hajdut apo kurorëshkelës. Por ja që ai përfundoi në vendin e mundimit. Sigurisht që ka mësime që duhet të marrim prej kësaj. Duhet të ruhemi nga rreziku i të jetuarit vetëm për veten.

Nuk mjafton vetëm të themi, “Unë jetoj një jetë të rregullt, bëj detyrën time në çdo fushë të jetës”. Pyetja është, a jeni ju duke jetuar për veten apo për Perëndinë? Nëse je si pasaniku që jetonte vetëm për vete, atëherë je i humbur. Duhet të ruhemi nga rreziku i të mos bërit atë që duhet të bëjmë.

Pasaniku nuk vajti në ferr për çfarë ai bëri, por për çfarë ai nuk bëri. Ai e la Llazarin tek dera. Në ditën e gjykimit Krishti do u thotë shumë njerëzve, Pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë; isha i huaj nuk më pritët . . . Duhet të mësojmë që pasuritë sjellin me vete rreziqe të veçanta.

Shumë njerëz kalojnë jetën në kërkim të pasurisë, por pasuritë sjellin një rrezik të madh shpirtëror. Ato kanë tendencë ta ngurtësojnë shpirtin, t’i mbyllin sytë njeriut, dhe ta bëjnë atë të harrojë Perëndinë. Jezusi thotë: Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!-2

A ke para? Atëherë kini kujdes dhe ruhuni nga vetëkënaqësia-3 . Pa dyshim që ju mund të shpëtoheni, sepse profetët si Abrahami, Jobi dhe Davidi ishin njerëz të pasur. Por mendo rreth rrezikut tuaj. Mbaj mend që paraja është një shërbëtor i mirë por një padron i keq. A ke pak para, ose aspak? Mos i ki zili ato që janë më të pasur se ty.

Ndoshta vetë ti nuk do të bëje më mirë. Mbaj mend që është dashuria për paranë e cila është burimi i çdo lloji të keqe, e që mund ta duash paranë edhe pa e patur atë. Mos mendoni se duke qenë të varfër jeni të shpëtuar. Llazari nuk shkoi në parajsë sepse ishte i varfër, por sepse ai kishte besim te Zoti.

Përfundimi

Ju nxis të analizoni veten. Çfarë po bëni? Ku po shkoni? Ku do përfundoni pas vdekjes? I ftoj të gjithë ata që duan të shpëtohen të shkojnë menjëherë tek Jezus Krishti. Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet-4 . Ai pranon mëkatarët-5 . Një ditë do jetë tepër vonë, ashtu siç zbuloi ai njeriu i pasur.

Marrë nga predikimi i J.C Ryle,

botuar nga AEM-Misioni Ungjillor,

nën titullin: Të Ecurit me Perëndinë.

1.Lluka 16:19-23, 2.Mark 10:23, 3.Lluka 12:15, 4.Isaia 55:6, 5.Lluka 15:2