HomeJehona 23Hidhet dyshim mbi horoskopin

Hidhet dyshim mbi horoskopin

Në çdo gazete dhe reviste gjen një vend ku shkruhen parashikimet e fatit sipas horoskopit. Ato ndiqen nga shumë njerëz, por a janë të besueshme? Astrologjia bazohet mbi idenë se vendndodhja e planetëve në momentin që lind njeriu përcakton fatin e tij. Dr. Kurt Koch tregon se ka një problem me këtë teori: “Astrologu i sotëm nuk shikon planetët në ato vende që i shikonte homologu i tij para 4000 vjetësh [kur mendohet se u caktuan rregullat e astrologjisë].

Veç kësaj, disa planetë të tjerë janë zbuluar në 200 vjetët e fundit, si Uranës në 1781, Neptuni në 1843, dhe Plutoni në 1930, të cilët nuk figurojnë në llogarinë e astrologjisë. Por zbulimi i planetëve të rinj nuk ka sjellë ndryshim në sistemin e parashikimit astrologjik.

Kjo ka bërë që astronomet [studiues të shkencës së yjeve – jo të fatit] të hedhin poshtë astrologjinë [horoskopin] si një nga mashtrimet më të mëdha të të gjitha kohërave.” Por atëherë, përse ngulin këmbë disa njerëz që horoskopi u del? Një studiues ka thënë se parashikimet shpesh herë janë shkruar me fjalë kaq përgjithësuese sa është e vështirë të mos dalin!

Për shembull: Do të takosh një të panjohur – por patjetër! …Duhet të ruhesh nga një rrezik – s’diskutohet!… etj. Me sa duket është e lehtë të sajosh një horoskop. Para ca kohësh doli në dritë fakti se një gazetë botonte horoskope të rreme. Ndodhi që redaktuesi i gazetës nuk i mori dot në kohë parashikimet e javës nga astrologu, prandaj ai vendosi nje palë të vjetër parashikimesh, rastësisht, në vend të tyre.

Kur askush nuk e vuri re, redaktuesi e pezulloi kontratën me astrologun dhe vendosi 22 seri parashikimesh/horoskopesh të vjetra. Nuk pati asnjë ankesë nga publiku derisa një ditë u vu re se horoskopi ishte në shenjën e gabuar të zodiakut! Prof. Russ Parker, në librin e tij ‘The Occult’ jep disa arsye përse horoskopi tërheq kaq shumë njerëz: ‘…njerëzit duan të besojnë dikë apo diçka, duan që jeta e tyre të ketë një qëllim.

Është një përpjekje që bëjnë njerëzit të kontrollojnë të ardhmen…’ Por ai shton se këto parashikime të fatit janë në kundërshtim me fenë. Në fjalën e Zotit jepet ky paralajmërim nga Perëndia: “Në rast se një person u drejtohet parashikuesit të fatit dhemagjistarëve unë do ta kthej fytyrën time kundër tij” (Levitiku 20:5). Një gjë që është e ndaluar nga ligji i Zotit, a mund të jetë e mirë?

Parkeri komenton se ky paralajmërim nuk është dhënë kot. Ai tregon se horoskopi është i rrezikshëm: “Shumë njerëz e lexojnë horoskopin për të qeshur… por ai shpesh herë fillon të ndikojë në mendjen e tyre”. Parker-i tregon histori të ndryshme ku besimi ndaj parashikimeve të fatit ka sjellë pasoja negative tek njerëzit. Populli thotë: “Po u përzieve me krundët, të hanë pulat”

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments