“S’ka Zot!”

“S’ka Zot!” tha Volteri i famshëm. Ndonëse ai ishte shumë i njohur për sarkazmat e tij të forta kundër besimit, ndoshta jo shumë njerëz kanë dëgjuar se si Volteri sillej herë pas here në mënyrë krejt të çuditshme. Sa herë që kalonte ndonjë furtunë ai trembej jashtë mase.

Madje, edhe kur dëgjonte bubullimën më të vogël ai kërkonte të bëheshin lutje dhe e pushtonte një frikë e madhe. Pasi furtuna largohej, Volteri kthehej prapë në sjelljen e tij të mëparshme tallëse. Ka shumë ateistë si puna e Volterit. Kur punët u shkojnë vaj, s’duan t’ia dinë për Perëndinë, por kur i zë ndonjë hall mund të bëhen më fetarë se vetë prifti.

Një vend bosh në shpirt

Unë pashë një portret të studiuesit të madh Bertrand Russell në pleqërinë e tij. Ndonëse fytyra e tij tregonte kurajo, ishte e zymtë dhe nuk shprehte asnjë shenjë gëzimi apo shprese. Ai lindi nga një familje e krishterë dhe i mësuan të besonte tek Perëndia, por ai hodhi poshtë besimin e prindërve të tij dhe u bë ateist i flaktë.

E bija, Katerina, tha për të, “Atje diku në fund të zemrës së tij, në thellësi të shpirtit, kishte një boshllëk që ishte mbushur dikur nga Zoti, dhe ai nuk gjeti kurrë asgjë tjetër për ta mbushur.”

Dikush, diku, më duaj”

Madalin O’Her u cilësua si një nga ateistet më të njohura në ShBA në shekullin njëzetë. Ajo ishte një debatuese e fortë, për të mos thënë e egër, dhe i trembte kundërshtarët e saj. Ajo u zhduk në mënyrë të mistershme. Pasi kaluan vite pa asnjë shenjë, ditarët e saj u shitën në ankand, dhe ato tregojnë për një njeri që nuk kishte qënë e kënaqur me jetën.

Nga shkrimet e saj private del që as anëtarëve të tjerë të Shoqatës së Ateistëve të Amerikës nuk u zinte besë. Dhe madje ajo shkruan për veten e saj: “Kam dështuar në të gjitha…në martesë, si prind, dhe si politikane…” Gjashtë herë gjendet e shkruar kjo fjalë në ditarin e saj: “Someone, somewhere, love me”, që do të thotë: “Dikush, diku, më duaj”.

Këshilla e një ateisti

Kolonel Etan Allen ka qenë ateist i njohur. E shoqja ishte besimtare, dhe i mësonte vajzës për besimin tek Krishti. Kjo vajzë u sëmur dhe në kohën që u rëndua thirrën të atin për të dëgjuar fjalët e saj tek po vdiste.

“O baba,” i tha, “për pak do të vdes. A të besoj ato që më ke mësuar ti, apo ato që më ka mësuar mami?” Iu deshën Kolonelit disa çaste për të përmbajtur veten, dhe në mes të ankthit të tij të skajshëm, iu përgjigj, “Beso vetëm ato që të ka mësuar mamaja”.