Kishat në gjithë Shqipërinë i hapin dyert e tyre për festën e madhe të pashkës. Disa prej këtyre kishave udhëhiqen nga predikues shqiptarë dhe të tjerë nga misionarë të huaj. Këta punojnë për ringjalljen e besimit në vendin tonë, sepse me gjithë punën e mirë gjatë viteve të fundit, akoma ka shumë për të bërë.

Ju kujtoj që kishat janë hapur për ju! Ato nuk ekzistojnë veçse për njerëzit t’i luten Zotit e të dëgjojnë zërin e tij. Edhe pse nuk ka asnjë kishë që është e përkryer (te Perëndia s’ka gabime, por te njeriu po) kishat ndihmojnë njerëzit të gjejnë shpresë, falje, e paqe.

Shumë prej jush do shkoni në kishë për pashkët. Ju inkurajoj të shkoni edhe pas pashkës, sepse shpirti nuk mbahet vetëm me një festë në vit. Ndërsa ju që s’keni ndërmend të shkoni fare, ju them pse të mos e provoni? Njeriu është nga natyra adhurues.

Nëse nuk e adhuroni Zotin, ka shumë të ngjarë që të adhuroni dikë apo diçka më pak të denjë. Pasuria, partia, puna, sporti, muzika, qejfi, e çdo gjë tjetër ka vendin e saj, por asnjë prej tyre nuk është mbi Perëndinë. A nuk i takon njeriut t’i japë lavdi Zotit?

Ndofta kjo është arsyeja që shumë njerëz vuajnë nga pakënaqësia, sepse nuk shkojnë t’i thonë Perëndisë asnjëherë “Faleminderit!” Pse të mos e marrësh bashkëshorten/ bashkëshortin me vete? Kur një çift drejton sytë te Zoti për një orë, besoj se do jenë në gjendje të shikojnë edhe njeritjetrin më mirë.

Bota nuk është e pamend që shkon në kishë për të marrë bekimin e Zotit kur martohen. Ai bekim duhet kërkuar vazhdimisht në familje. Prandaj, pse të mos i çoni fëmijët në kishë gjithashtu?

Shumë prindër i rrisin fëmijët e tyre pa i çuar në kishë. Pastaj, vjen adoleshenca, fëmija u del nga duart, dhe nuk e kuptojnë që fajin e kanë vetë, pasi nuk e lejuar djalin apo vajzën të njohin Zotin. Mos prisni t’ju ndodhë juve!

Nëse i doni fëmijët tuaj, çojini në kishë. Përfytyro që Jezus Krishti vjen në qytetin tënd. A nuk ke dëshirë ta takosh? Kisha është ky vend. Se Krishti tha që aty ku dy ose tre njerëz mblidhen në emrin e tij, ai do të jetë në mes tyre me frymën e tij të shënjtë.

Ndonëse është e drejtë të themi që Zoti është kudo, Ai është i pranishëm në mënyrë të veçantë aty ku adhurohet.