Festat e fundvitit është ajo kohë kur mendime të shumë njerëzve kthehen tek dhuratat. Prova e mjaftueshme për këtë fakt është shuma jashtëzakonisht e madhe e parave që shpenzohen për dhuratat e krishtlindjes apo të Vitit të Ri çdo vit. Ndërsa mendojmë për dhurata, tani që festat po vinë, le të mendojmë së pari për
dhuratën e parë, atë të krishtlindjes…

Një dhuratë suprizë
Gjatë këtyre ditëve shumë herë më kanë pyetur fëmijët: “Çfarë dhuratë do të marrim për krishtlindje?” Shpesh
dhuratat janë rezultati i një kërkese të veçantë, por nuk ndodhi kështu me dhuratën e parë të krishtlindjes. Dhurata e parë, zbritja e fëmijës së shenjtë në tokë, ishte një surprizë për thuajse krejt njerëzimin.

Edhe pse shtatëqind vjet para lindjes  së Jezus Krishtit, një njeri i Perëndisë parashikoi: “Na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë”1, profeci kjo që u përmbush në krishtlindjen e parë,  dhurata e Perëndisë nuk ishte diçka që ne e kërkuam. Njeriu nuk e dinte se nevoja e tij më e madhe, ishte për një shpëtimtar.

Një dhuratë e pakufizuar
Disa dyqane tregtojnë mallra vetëm për njerëz shumë të pasur. Dhuratat që ata shesin janë kaq të shtrenjta sa një njeri jo shumë i pasur nuk mund t’i blejë dot. Por dhurata e Perëndisë është e pakufizuar. Ja, premtimi i Biblës: “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”2.

Asnjë nuk mund të thotë duke hedhur sytë nga qielli: “Unë doja të shpëtohesha, por Jezus Krishti nuk erdhi për mua!” Në faqen e fundit të Biblës, gjendet fjala e ngrohtë: “Eja! Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës”3.

Një dhuratë e pandryshueshme
Kohët ndryshojnë, stilet ndryshojnë, qëndrimet dhe shijet ndryshojnë, historia dhe librat ndryshojnë. Pothuajse çdo gjë që njohim ka ndryshuar. Por Jezus Krishti është dhurata e pandryshueshme e Perëndisë. Bibla deklaron: “Jezus Krishti është i njëjtë dje, sot dhe përjetë”4.

Dhuratat për krishtlindje që kemi marrë para disa vitesh tani kanë dalë jashtë mode, por Jezusi mbetet përjetë, ai nuk është objekt mode; ai është gjithmonë i ri, nuk ndryshon asnjëherë. Ai është i njëjtë sot për ata që i besojnë atij si shpëtimtar, ashtu siç ishte për ata që i besuan dy mijë vjet më parë! Ne i gëzohemi të njëjtit
shpëtim që u bë gëzimi i besimtarëve të të gjitha kohërave.

Nuk mund të ketë ndryshim te Krishti. Po të bëhej më i mirë do të thotë se nuk ishte i përsosur që në fillim; dhe po të bëhej më i keq, do të thoshte se nuk është më i përkryer. Por në Jezusin jo vetëm që nuk ka ndryshim moral, por nuk ka asnjë ndryshim brenda vetë atij. Dhurata e Perëndisë është e pandryshueshme.
Për më tepër ajo është…

Një dhuratë e pamerituar
Vetë fakti që shpëtimi është një dhuratë tregon se është i pamerituar. Nëse fitohet ose meritohet, nuk është më dhuratë. Shumë fe thonë se shpëtimi vjen pjesërisht nga hiri i Zotit dhe pjesërisht nga veprat tona, por kjo nuk mund të qëndrojë.
A mund të fitojmë një vend në qiell?
Po të kishim një mijë jetë dhe të punonim ditë e natë, nuk do të kishte asnjë rrugë që të mund të fitonim këtë çmim. Ka vetëm një mënyrë që ne ta shijojmë bekimin e madh të faljes së mëkatëve: ai duhet të jetë një dhuratë.
Jezus Krishti i tha gruas samaritane që kishte rënë në faj: “Po ta njihje dhuratën e Perëndisë, dhe kush është ai që të thotë: “Më jep të pi!”, ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë”5.
Dhurata e Perëndisë për krishtlindjen është e pakufizuar, e pandryshueshme, e pamerituar, dhe ajo është gjithashtu…

Një dhuratë falas
Nëna dhe babai shohin me fytyra të gëzuara ndërsa vajza hap një pako të bukur dhe pastaj thërret me gëzim: “Oh, mami! Kjo ishte dhurata që doja!”dhe pastaj, duke përqafuar nënën dhe babanë, vajza me mirënjohje thotë: “Faleminderit”. Pastaj e hap pakon tjetër dhe e njëjta skenë përsëritet.

Po sikur të mbetet një dhuratë e pahapur? Sa i trishtuar duhet të ndihet ai që dhuron kur mendon se dhuratën e tij nuk e duan! Ndoshta disa prej atyre, që nuk e kanë marrë dhuratën e Perëndisë, po i lexojnë këto rreshta. Nuk i ke besuar asnjëherë Krishtit? Nëse është kështu, më lejoni t’ju nxis që ta besoni atë tani. Mos prisni për ndonjë moment tjetër.

Bibla lajmëron “Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit”6. Ardhja e Jezus Krishtit në këtë botë, dhe vdekja e tij për të paguar për mëkatet e botës është e mjaftueshme për të gjithë, por është e vlefshme vetëm për ata që e pranojnë.

Të marrësh dhuratën e Perëndisë për krishtlindjen do të thotë se erdhi koha të pranosh se je nevojtar përpara Zotit,duhet të jesh i penduar për mëkatin dhe të besosh që Jezus Krishti është shpëtimtari që vdiq dhe u ringjall për ty. Ky është edhe mesazhi i krishtlindjes sot.

C.H.

1. Isaia 9:5, 2. Gjoni 3:16, 3. Zbulesa 22:17, 4. Hebrenjve 13:8, 5. Gjoni 4:10, 6. 2 Kor. 6:2