HomeMesazhi 4Debat - Replika

Debat – Replika

Ç’e duam Babagjyshin?

Kur isha vetë fëmijë i besova historitë e Babagjyshit, por fëmijët e mi nuk i mësoj ta besojnë. E para e punës dua që fëmijët e mi të jenë mirënjohës ndaj babit dhe mamit, por edhe gjyshit, gjyshes dhe tezes për dhuratat që i gjejnë poshtë pemës.

Përse ta falenderojnë atë plakun me veshjen e kuqe që as punoi, as shpenzoi dhe as është munduar t’i siguroi lodrat e tyre? Thjesht që nuk ka kuptim që një fëmijë t’i jetë mirënjohës dikujt që nuk i ka dhënë asnjë dhuratë, dhe në vend të kësaj duhet ta vlerësojë familjen që e do vërtetë. Arsyeja e dytë është që nuk e shikoj si të shëndetshme të gënjej djalin apo vajzën me një sajesë.

Si mund të jetë e mirë kur keqpërdor sinqeritetin e fëmijës, sidomos besimin që ka fëmija te fjala e prindërve? Dua që fëmija im të ketë gjithmonë siguri në ato që unë i them, dhe s’më duket aspak mirë ta minoj besueshmërinë time prindërore me një gënjeshtër, sado e bukur që të jetë ajo.

Kam edhe një problem tjetër me Babagjyshin, dhe ka të bëj me motivimin që u japim fëmijëve për të patur sjellje të mirë. U thuhet shpesh fëmijëve që duhet të kenë sjellje të mirë se përndryshe Babagjyshi i shikon dhe nuk i sjell dhurata në fund të vitit.

A është kjo mënyra e duhur? Sillu mirë që të marrësh dhurata? Unë dua që fëmija im të sillet mirë se kështu duhet të sillet, se ai e kupton që sjellja e mirë ka vlerë në vetvete. Pastaj një prind i mirë i jep një dhuratë fëmijës së vet nga dashuria që ka për të, dhe jo vetëm kur ai sillet mirë.

Fakti që mami dhe babi janë të dashur pa kushte, i jep një mesazh shumë pozitiv dhe të fuqishëm fëmijës. Nuk po them që s’duhet korrigjuar fëmija kur gabon, vetëm dua të nxjerr në pah motivin e dhuratave, që është dashuria pra, jo shpërblim.

Mos më keqkuptoni. Nuk i përfshij fëmijët e mi në një fushatë kundër babagjyshit me fëmijët e tjerë! Thjesht ua kam thënë që kjo puna e Babagjyshit është një tip loje që luajnë të rriturit me fëmijët duke imagjinuar që ekziston Babagjyshi.

REPLIKA

Ç’keni me Babagjyshin?

Po hoqëm baba gjyshin ku do të ndalemi pastaj? Të mos lejojmë fëmijët të lexojnë histori të tjera imagjinare? Fëmijët kanë shumë imagjinatë dhe nuk i bën dëm ta zhvillojnë imagjinatën me babagjyshin. Festat e fundvitit kanë magjinë e tyre dhe babagjyshi është pjesë e saj.

Unë i kam lënë fëmijët e mi të besojnë historinë e babagjyshit sepse i bën të lumtur, ashtu siç më bënte mua të lumtur kur isha fëmijë. Kujt i ka ndikuar për keq kjo gjë? Pastaj, fëmijët janë të zgjuar dhe e kuptojnë shpejt se kjo pjesë e festës është vetëm diçka imagjinare.

Dhe së fundmi, nëse do t’u thoja fëmijëve të mi të vegjël që Babagjyshi nuk ekziston, do të provokoja zënka mes tyre dhe fëmijëve të tjerë në shkollë dhe në lagje për këtë. Gjithashtu, miqtë e fëmijëve por edhe prindërit e tyre mund të mërziteshin me mua!

Most Popular

Recent Comments