Ekziston një mentalitet, që ndoshta vjen nga e kaluara, që thotë “mos u merr shumë me fenë” ose “beso, por mos beso shumë”. Dhe ideja e këtyre këshillave (gjoja dashamirëse) është që ata që “merren shumë” me fenë mund të humbasin mendjen. Kjo është absurde dhe e pavërtetë.

Padyshim që ka individë në shoqëri, të cilët janë fatkeqësisht të dobët mendërisht dhe të prirur të keqkuptojnë jo vetëm mësimet e fesë, por çfarëdolloj mësimesh të tjera dhe të kalojnë në gabime të rënda. Të marrësh këta njerëz si shembuj të atyre që janë besimtarë duke thënë “shiko çfarë të bën besimi” është njësoj si t’u thuash njerëzve që nuk duhet të lahen në det se qenka mbytur një njeri në lumë!

Besimi te Zoti, është ndër ato gjëra pozitive që u jep shpresë njerëzve të përballin të sot­men. Janë me mijëra dhe mijëra njerëz (vetëm në Shqipëri flas) që në momentin e dëshpërimit (kur dhe mund ta kishin humbur fare) i janë lutur Zotit dhe kanë gjetur forca të reja për t’u ngritur dhe për të vazhduar jetën.

Besimi pra, jo vetëm që nuk e shtyn njeriun drejt së keqes, por e largon prej saj. Kemi nevojë të besojmë. Kemi nevojë të besojmë jo te partitë, jo te politika, por te Perëndia. Nuk duhet të turremi drejt ven­­deve të shenjta por duhet të fillojmë t’i lutemi Perëndisë në familjet tona. Burri me gruan, gjyshi me fëmijët.

Nëse nuk ngjallet në shpirtin tonë një dëshirë për diçka më fisnike sesa Big Brother dhe Ezeli dhe gjithçka tjetër e këtij lloji, dhe nëse nuk na lind një besim te diçka më e lartë se lojërat e fatit, atëherë ku do të përfundojmë? Si do të dalim nga gropa ku kemi rënë nëse nuk besojmë te Zoti?

Si do të forcohet dashuria në familje nëse nuk besojmë te Zoti? Si do të gjejnë kurajo fëmijët tanë të largohen së keqes që është kudo, nëse nuk i mësojmë edhe ata të besojnë te Zoti? Sigurisht që jo të gjitha sektet fetare janë për t’u admiruar. Por ka bashkësi besimtarësh, si ato të kishave ungjillore, që përpiqen të edukojnë fëmijët me frymën më pozitive të besimit dhe jo me bestytnitë të pakuptimtë.

Fëmijët që marrin pjesë në klubet, në kampet, dhe në kurset e tyre fitojnë edukatë të mirë, pasurohen në kulturë edhe mësojnë vlerat më pozitive të mundshme. Vetëm paragjykimet e paarsyshme do të na pengojnë të kuptojmë këtë. Nëse për shkak të opinionit shoqëror të keqinformuar, ne zgjedhim injorancën në vend të dijes dhe i mbyllim sytë shansit për të hyrë në një rrugë më të mirë, pasojat do të bien mbi ne dhe s’kemi për të ecur përpara.

* * * “Një ditë, ndërsa po udhëtoja në metron e Leningradit, më pushtoi një dëshpërimi aq i madh saqë jeta duket që ndaloi menjëherë, duke shpartulluar krejtësisht të ardhmen, le pastaj ndonjë farë kuptimi. Befas, krejt vetiu, mu shfaq një frazë në mendje: pa Perëndinë jeta nuk ka kuptim.

Duke e përseritur, iu ngjitaa frazës sikur të ishte një shkallë lëvizëse. Dola nga metroja, e në dritën e Perëndisë vazdova të jetoj. Besimi është e vetmja e vërtetë dhe më e rralla e dhuratave.”                                                                  (Andrei Bitovi, shkrimtar rus.) GJ.T.