Përse ka kaq shumë hipokrizi në botën e fesë?

Nëse etikohet hipokrit, çdo njeri që vepron ndryshe nga fjalët që thotë, ose që vepron ndryshe nga ato që thotë se beson, zor se dikush shpëton nga kjo akuzë. Ajo që mund të konsiderohet si hipokrizi e mirëfilltë shihet te ai person që shtiret sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur, me qëllim përfitimi.

Hipokrizia më e keqe është ajo kur kërkohet dënimi i një personi ndërsa akuzuesi është vetë fajtor për të njëjtin veprim që ai kërkon të dënojë tjetrin. A e dini se Jezus Krishti ka vuajtur pikërisht në këtë mënyrë nga drejtuesit fetar në kohën e tij?

Birin e Perëndisë e akuzuan që shoqërohej me njerëz të padëshiruëshëm, ndërkohë që akuzuesit e tij e mbanin veten për shumë të shenjtë. E akuzuan Jezusin që po thyente traditat e të parëve, ndërkohë që ata kishin bërë diçka më të rëndë, e kishin lënë mënjanë udhërimet e Perëndisë.

Dhe kur Jezusi ndihmonte të sëmurët ditën e sabatit, e akuzuan që bëntë punë që nuk lejohej për atë ditë, ndërsa ata vet bënin punë ditën e shenjtë kur u intëresohej. E paditën Krishtin gjithashtu për profet të rremë, kur ishin akuzuesit e tij që predikonin ide krejt të gabuara.

Dhe arritën deri aty sa të thoshnin që Jezusi po i realizonte mrekullitë e tij me fuqinë e djallit, kur ishin vet ata që ishin të djallëzuar. Jezusi, duke folur mbi rrezikun e hipokrizisë tha: “Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd? Ose, si mund t`i thuash vëllait tënd: “Dale të të heq lëmishten nga syri”, kur ke një tra në syrin tënd? O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd”.

Dhe në adresë të krerëve të fesë Jezusi drejtoi keto fjalë: “Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha: “Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje. Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit”.

Dhe paralajmëroi: “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiellit; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.” A është e vërtetë që ka shumë hipokrizi në botën fetare? Padyshim. Kjo nuk ndodh vetëm mes besimtarëve, por kjo ndodh gjithandej!

Një nga pakënaqësitë më të mëdha në botën komuniste, ishte hipokrizia e theksuar e drejtuesve të partisë. E njëjta gjë ndodh edhe sot. Përse? Sepse nuk ka asnjë njeri që t’i përmbahet plotësisht parimëve të larta që ai predikon. Por çështja është që njerëzit kanë pritje më të larta për ata që shërbejnë në kishë apo në institucione të tjera fetare, sesa prej tyre që kanë poste drejtuese në organizata të tjera.

A do thotë ekzistenca e hipokrizisë që duhet të heqim dorë nga të vajturit në kishë? Jo. Sepse është e qartë që Zoti Jezus krijoi kishën për grumbullimin e besimtarëve, për adhurimin e Perëndisë, dhe për nxitjen e secilit në besimin e tij.

Duhet theksuar se kur një njeri bëhet besimtar, kjo nuk do të thotë që ai bëhet i përsosur, por që ka filluar të eci me Zotin, dhe rrugës ai mund të pengohet ose të devijojë. Që të ece më mirë në këtë rrugë ai ka nevojë të ushqehet me fjalën e Zotit dhe të korrigjohet nga shembulli pozitiv i të tjerëve.

Ai që thotë se nuk shkon në kishë, sepse aty ka hipokritë, bie në kundërshtim me veten. Hipokritë ka në shkollë, në punë, në familje e në çdo vend tjetër. Atëherë pse shkon në ato vende? Pastaj, njeriu nuk duhet të shkoj në kishë për shkak të njerëzve, por për Zotin.

Sigurisht, nëse ju jeni në një kishë që drejtohet nga njerëz që janë fajtor për skandale është përgjegjësia juaj që të largoheni dhe të gjeni një kishë që kërkon vullnetin e Zotit në mënyrë më të sinqertë.

Gjerasim Qiriazi, rilindësi shqiptar, nuk u largua nga Zoti sepse në kishë kishte hipokritë! Ai prapë e përkushtoi jetën e tij predikimit të Fjalës së Perëndisë për të ndihmuar të tjerët t’i afrohen Zotit.