Disa nga parashikimet që dështuan

Paniku i mijëvjeçarit

Nostradamusi, i ashtuquajturi parashikuesi i famshëm kishte thënë se korriku i vitit 1999 do të ishte data e zgjedhur për fundin e botës. Ai tha që, gjoja, një “mbret i madh terrori” do të zbriste nga qielli. Dhe sigurisht, viti 2000 erdhi, por bota nuk u shkatërrua.

Efekti “Jupiter”

Kjo teori u përhap në vitin 1974 dhe u shkrua nga dy astro-fizikantë, John Gribben dhe Stephen Plagemann. Bëhej fjalë për nëntë planete që do bashkërendoheshin më 10 mars 1982, duke krijuar një tërheqje gravitacionale që do shkaktonte rritje të madhe të aktivitetit diellor që do ta godiste Tokën duke shkaktuar tërmete. Shumë njerëz e morën seriozisht këtë parashikim, edhe pse autori Gribben-i doli dhe tha se ishte vetëm një teori e pa bazuar në prova të forta shkencore. Si përfundim, efekti nuk shkaktoi katastrofë por pati një ndikim të vogël në rritjen e baticës ndërujore.

Bashkimi i planeteve

E ngjashme me këtë, ka qënë parashikimi i meteorologut Albert Porta, i cili tha që më 17 dhjetor 1919 bashkërenditja e gjashtë planeteve do të “shkaktojë një korent magnetik aq të madh sa që do përshkojë diellin, dhe do të shkaktojë shpërthime të mëdha dhe gllabërojë Tokën”. Ky parashikim krijoi disa trazira fatkeqe të turmave mendjelehta ku disa njerëz humbën edhe jetën. Bota nuk u përmbyt. Alberti e humbi punën dhe përfundoi duke shkruar parashikimin e motit për një gazetë lokale.

Kometa Hajli 1910

Edhe pse kometa Hajli ishte shfaqur shumë herë më parë, pa shkaktuar ndonjë katastrofë, kalimi i saj më 18 maj të vitit 1910 u konsiderua si kërcënim vdekjeprurës për njerëzit, për shkak të gazit helmues që do dilte prej saj. Njerëzit vrapuan që të blinin maska gazi. Sidoqoftë, kometa vazhdoi rrugën e saj pa helmuar askënd.

Parashikimet e Dëshmitarëve të Jehovait

Dëshmitarët e Jehovait kanë parashikuar disa herë fundin e botës. Parashikimi i parë ishte që mbretëria e Perëndisë do të vinte në tokë në vitin 1914 dhe bazohej në interpretimet e tyre të gabuara të Biblës. Pasi mbretëria nuk mbërriti në datën e parashikuar, ata nxorën teorinë se kuptimi i parashikimit ishte jo fizik. Dëshmitarët e Jehovait kanë parashikur fundin e botës edhe në: 1915, 1918, 1920, 1925, 1975, etj. Kuptohet që asnjeri prej tyre nuk ishte i vërtetë.

Gjithë ky spekullim ka të bëjë me kalendarin Maja. Populli i lashtë mezoamerikan i Majave kishte një kalendar jetëgjatësia e të cilit ishte 5125 vite. Fillonte në 3114 para Krishtit dhe përfundonte në 2012, sipas kalendarit tonë. Ajo që dihet me siguri është që Majat ishin matematikanë të zot edhe astronomë të shkëlqyer, pasi eklipset i llogarisnin me saktësi.

Spekulimi ndërkohë, vërtitet rreth përfundimit të kalendarit Maja, gjoja që ajo përkon me një ngjarje të madhe në historinë e botës. Ka zëra që flasin për kalimin e njeriut në një epokë më të ndritur. Ndërsa disa të tjerë flasin për një katastrofë të përmasave të mëdha.

E gjitha kjo po krijon një klimë ankthi në lidhje me vitin 2012 që kujton pak a shumë atë të vitit 2000. Në atë kohë u shpenzuan rreth 300 miliardë dollarë për të ndërhyrë në sistemet informatike për të parandaluar “katastrofën e madhe” që do vinte për shkak të mosfunksionimit të tyre. Të paktën kështu u mendua.

Parashikime të shtrembëruara

Studiuesit e mirëfilltë të kulturës Maja, pohojnë që këto spekullime janë një shtrembërim i kalendarit Maja: “Nuk ka asgjë fare në parashikimet e lashta Maja apo Aztek që të çojnë te mendimi se do të ketë një ndryshim të madh në vitin 2012” thotë Mark Van Stone, studiuesi i qytetërimit Maya.

Ai shton që, “Nocioni i një Cikli të Madh është një fabrikim modern”. Në veprën e tyre të rëndësishme, studiuesit e respektuar Linda Sheel (Linda Schele) dhe David Fridël (David Freidel) argumentojnë qe kultura Maja “nuk konceptonte fundin e krijimit, siç kanë sugjeruar disa”. Dhe ata citojnë parashikime të Majave për ngjarje që do të vijnë pas vitit 2012, gjë që provon se Majat nuk besonin që bota përmbytej në atë vit.

NASA përgënjeshtron

Një nga hipotezat më të përfolura ka të bëjë me mundësinë e përplasjes së një meteori me Tokën, i cili do të shkaktojë shkatërrim mbarëbotëror. Astronomët e NASA-s, mes shumë shkencëtarëve të tjerë, kanë hedhur poshtë këto parashikime apokaliptike. Ata vënë re se nuk është diktuar asnjë lloj objekti në hapësirën qiellore që rrezikon Tokën, të cilin e vëzhgojnë imtësisht me mjete të sofistikuara satelitore.

Fundi i botës – nga pikëpamja biblike

Fundi i botës është një nga çështjet që ka ngjallur diskutime shpesh gjatë historisë. Sidomos në periudha me trazira ose kur kanë ndodhur tragjedi natyrore. Fundi i botës ishte një temë që ngjallte interes edhe në kohën e Jezusit. Krishti foli për kohëra të vështira që do vinin mbi tokë: “Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash.

Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.” Por duhet vënë re që ai shtoi: “Ruhuni të mos shqetësoheni shumë, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende Fundi nuk do të ketë ardhur”.

Sipas Krishtit, pra, trazirat dhe tragjeditë nuk duhen marrë si shenja e fundit të botës, por si pjesë e fatkeqësive që do te vazhdojnë të prekin botën. Është e vërtetë që Bibla tregon se bota do të ketë një fund. Kjo do të vijë për shkak të mëkatit të njeriut dhe njësohet me kohën kur Perëndia do të gjykoj gjithë njerëzit sipas veprave të tyre.

Lidhur me datën se kur do të vijë ajo ditë, njerëzit kanë spekuluar shumë, por Bibla nuk e përcakton. I mençuri Krisht tha: “Sa për atë ditë, askush nuk e di se kur do të ndodhi”. Më tej, ai tha: “Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e mendoni”, sipas Ungjillit (Mateu kap. 24).

Me sa duket, për Jezusin, ishte më me rëndësi të shikojmë se në ç’gjendje jemi ne në lidhje me Zotin sot, sesa të merremi me diskutime të padobishme për datën e fundit. Për shumë njerëz nuk do të ketë një fund bote, pasi jeta e tyre është tashmë duke përjetuar fundin për shkak të luftrave, sëmundjeve dhe fatkeqësive të ndryshme. Pikërisht për këta njerëz besimi te Zoti ofron fuqi për sot edhe shpresë për nesër.