Kumari ka shumë forma: llotaritë, “kompjuterat”, bingot, bixhozi, bastet sportive, edhe tani forma të ngjashme në internet. Fjala e Zotit na paralamëron të qëndrojmë larg lakmisë për para. Shkrimi i shenjtë na nxit gjithashtu të qëndrojmë larg përpjekjeve për t’u pasuruar shpejt.

Padiskutim që kumari rrjedh nga lakmia për para dhe padyshim që i josh njerëzit me premtimin se mund të pasurohen në mënyrë të shpejtë. Ç’të keqe ka kumari? Njerëzit shpërdorojnë para në shumë lloj aktivitetesh. Por fakti që paratë shpenzohen kot edhe në aktivitete të tjera nuk e justifikon kumarin.

Lekët nuk duhet të shpërdorohen. Ato duhet të kursehen për t’u shpenzuar në mënyrë të dobishme. Jeta ka treguar se kumari e prish njeriun. Ai zëvendëson vlerat e mira morale me lakminë dhe vetkënaqësinë. Kumari nxit neglizhencën e fëmijëve, të përfshin në shoqërinë e gabuar, kultivon përtacinë dhe e çon njeriun drejt veseve të tjera si pija dhe droga.

Në të gjitha format e saj, ajo është e gabuar. Nuk e lejon Perëndia. Dënohet nga Zoti! Si mund të ruhesh nga kumari në të gjitha format e tij? Ne mund të ruhemi nga kumari duke paralajmëruar të tjerët kundër saj. Prindi e ruan fëmijën duke e mësuar për rrezikun e saj. Miku i thotë mikut, “Mos e bëj!”.

Por mënyra kryesore për të ruajtur veten prej këtij vesi skllavërues është të kesh këndvështrimin e duhur për të mirat e tua materiale. Kur e kupton që të mirat materiale janë një dhuratë nga Perëndia, fillon t’i shikosh ndryshe nga sa i shikoje më përpara.

Kështu që, unë të jap këto këshilla: E para, duhet të kuptosh që çdo gjë që ekziston vjen nga Zoti. Ai është pronari i vërtetë i të gjitha gjerave. “Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat. Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.” Psalmi 50:10-12

E dyta, duhet të kuptosh që çdo gjë që ke – përfshi paratë, pronat, dhe kohën – është dhuratë nga Perëndia. Janë dhurata, jo në kuptimin që Perëndia t’i dhuron t’i përdorësh si të duash, por në sensin që mbreti i jep vartësit të drejtën për të qeverisur mbi një pjesë të mbretërisë së tij.

I mençuri Solomon tha: “Ja çfarë kuptova: është mirë dhe e përshtatshme për njeriun të hajë, të pijë dhe të gëzojë të mirën e gjithë mundit të tij nën diell, tërë ditët e jetës që Perëndia i jep, sepse kjo është pjesa e tij. Çdo njeriu të cilit Perëndia i jep pasuri dhe të mira dhe të cilit i jep gjithashtu mundësinë t’i gëzojë ato, të marrë pjesën e vet dhe të gëzojë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.” Predikuesi 5:18-19

E treta, duhet të kesh vetëdijen që Perëndia të shikon dhe që Ai do të të kërkojë llogari një ditë për pjesën që të ka dhënë ty. Ky parim vlen për kumbarin por edhe për çdo lloj harxhimi të kotë apo të padobishëm në jetën tonë.