Para 40 vjetësh Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”

Kanë kaluar 40 vjet nga viti i kobshëm 1967, kur Shqipëria u shpall me krenari shteti i parë ateist në botë. Në atë kohë u organizua një fushatë e madhe kundër çdo lloj besimi dhe u mbyllën të gjitha institucionet fetare në vend. Në vijën e parë të luftës kundër fesë u vu rinia, e cila u përgatit me shumë merak nga komunistët shqiptarë për kryrjen e kësaj detyre të veçantë.

Pastaj në nëntor të vitit 1967 regjimi nxori dekretin famëkeq nr.4337 me titull “Mbi shfuqizimin e disa dekreteve” i cili ndalonte të gjitha ritet fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë shkelësit. Ngjarjet e vitit 1967 nuk ishin të papritura. Në realitet, lufta kundër fesë kishte filluar që kur erdhi në pushtet Partia e Punës, ndërsa ajo që ndodhi në vitin famëkeq ishte kulmi i një fushate të planifikuar mirë.

Komunistët e toleruan pjesërisht besimin fetar në Shqipëri për aq kohë sa pushteti i tyre ishte i pakonsoliduar dhe ndjenjat fetare të popullit ishin akoma të forta. Por, pas 20 vjet propagande ateiste, dhe rritje e një brezi të ri të edukuar në shkollë me frymën marksiste, ndezja e Revolucionit Kulturor në Kinë ishte shenja që kishte ardhur koha për një goditje më të madhe ndaj fesë edhe në Shqipëri.

Gjithçka e përgatitur Udhëheqja komuniste mati pulsin për mbylljen totale të fesë gjatë vitit 1966. Filloi mobilizimi i rinisë për të bërë propagandë kundër besimit fetar në zonat rurale. Një fushatë e tillë u zhvillua në fshatrat e Fierit, e organizuar nga mësuesit e shkollës. Të rinj të disa rretheve, të nxitur nga drejtuesit e Partisë, ishin hedhur në luftë për prishjen e ndërtesave të kultit.

Pas Kongresit V të Partisë së Punës, në nëntor të vitit 1966, punët filluan të merrnin një drejtim më të hapur. Ky kongres e cilësoi luftën kundër fesë si një aspekt me rëndësi në zhvillimin e luftës së klasave. Enver Hoxha në fjalimin e tij kishte thënë: “Luftë klase është… lufta kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive e zakoneve prapanike”.

Pikërisht ky fjalim citohet si burim frymëzimi në gazetat dhe botimet propagandistike gjatë muajve të ardhshëm. Në datën 8 shkurt, të vitit 1967, “Zëri i Popullit” botoi në faqen e parë, me gërma të mëdha shtypi këto fjalë:“Me Shpatën e Mprehtë të Ideologjisë së Partisë Kundër Ideologjisë Fetare”. Në këtë artikull, u lavdëruan në mënyrë të veçantë nxënësit dhe pedagogët e shkollës Naim Frashëri, në Durrës, për “inisiativën revolucionare”, sepse ishin hedhur në luftë kundër fesë.

Artikulli vijon: “…në këtë shkollë po zhvillohet një aksion i rëndësishëm ideologjik… në një fletë-rrufe të të gjithë shkollës flitet për zotimet dhe punën që kanë bërë klasat e ndryshme, aty kritikohen të rinj e të reja si dhe ato klasa që nuk janë aktivizuar si duhet në këtë lëvizje dhe kërkohet që ato të japin përgjigje për qendrimet e tyre”. Duke qënë se ky lajm botohej në gazetën kryesore të vendit (ZiP ishte Organ i Komitetit Qendror të P.P.SH) jepej kështu sinjali për ndezjen e flakëve në të gjitha shkollat e vendit.

Zgjerohet lufta Si rezultat i mobilizimit të popullit kundër fesë, të udhëhequr sigurisht nga komunistët në çdo rreth, brenda një kohe të shkurtër u mbyllën institucionet fetare. Me përjashtim të ndonjë xhamie apo kishe me vlera arkitektonike apo historike, kishat, xhamitë, teqetë e tyrbet në të gjithë vendin u shndërruan në kinema, salla sportive, barrestorante dhe magazina.

Duhet sqaruar se këto veprime kundër fesë, dhe dhunimi i ndërgjegjës së besimtarëve shqiptar, ishin që të gjitha të paligjshme. Në nëntor të 1967-ës regjimi nxori dekretin famëkeq nr.4337 me titull “Mbi shfuqizimin e disa dekreteve”. Ai anuloi menjëherë një sërë dekretesh të viteve 1949-1951, të cilat legalizonin kartat e rishikuara të komuniteteve fetare.

Gjithashtu ndalonte të gjitha ritet fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë shkelësit. Mirëpo ky dekret doli vetëm pasi të ishte kryer fushata kundër fesë. Sikur të mos mjaftonte kjo për të treguar paligjshmërinë e këtij sulmi ndaj ndjenjave të shumë shqiptarëve, vihet re që dekreti i ri (ai që nxori jashtë ligjit ushtrimin e fesë) del plotësisht në kontradiktë me kushtetutën (kap.III, neni 18), që ende u garantonte të gjithë qytetarëve lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë!

Si t’ia vëmë emrin kësaj pune? Nga këndvështrimi i sotëm është e vështirë të besosh atë që ndodhi në Shqipëri në ato vite. Faktikisht, janë të rrallë ata njerëz që flasin për këto ngjarje, ose që tregojnë për përfshirjen e tyre në aksione kundër fesë. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon realitetin se ajo ndodhi më të vërtëtë. Por çfarë shpjegimi t’i japim kësaj?

Vendi këtu nuk lejon të hymë në një analizë të hollë e të gjatë për shkaqet e kësaj historie të dhimbshme, por më i vlefshëm mund të jetë reagimi yt personal për këtë çështje. Tani, të paktën, le t’ia vëmë emrin e duhur kësaj historie të turpshme: U krye një shkelje kundër ligjit shqiptar. U krye një faj kundër ndjenjave fetare të popullit. Dhe u krye një mëkat të madh kundër Zotit.

Megjithëse kanë kaluar 40 vjet nga ngjarjet famëkeqe të asaj kohe, mbetet për të pyetur: A i kemi duart të pastra nga kjo punë? Ata që janë me moshë mbi 50 vjeç duhet të bëjnë një vetë analizë. Ata që janë më të rinj e kanë kollaj të tregojnë me gisht më të moshuarit, ndërkohë që edhe ata duhet t’i bëjnë pyetjen vetes së tyre: “A jam unë në luftë me Zotin?” Ndofta ti nuk e mohove Zotin në ‘67-ën, as në ’77-ën.

Dhe ke të drejtë kur thua: “Unë nuk kisha lindur atëherë!”. Por mendo pak si ke ecur në vitin ’87, apo në vitin ’97? Dhe si je duke ecur tani në 2007-ën? Nuk dyshoj që lexuesi s’po merr pjesë në fushata për mbylljen e kishave, por, ka edhe shumë mënyra të tjera për t’ia kundërvënë Perëndisë. A i shmangesh ti atyre? Ekziston një fjalë e urtë ku thuhet: “Ata që nuk mësojnë nga historia, janë të destinuar ta përsërisin”.

    Na rroftë viti 1967!

Në vend të Perëndisë, Partia.

Në vend të Frymës së Shenjtë, frymën e Revolucionit Komunist.

Në vend të adhurimit të hynisë, “Lavdi Marksizëm-Leninizmit”.

Në vend të Biblës, veprat e shumta të shokut Enver Hoxha.

Në vend të ligjeve të Zotit, dekretet e Komitetit Qendror.

Në vend të klerit, sekretarët e Partisë.

Në vend të besimtarit, njeriu i ri socialist

Në vend të parajsës, lumturia socialiste

Në vend të së vërtetës . . .

Në vend të shpëtimit, humbja.

Në vend të dritës, errësira.

Në vend të njeriut të ri, shpirtra të dërrmuar.